Prishtinë, 6 tetor 2025 – Gjatë dëshmisë së tij në seancën gjyqësore ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, eksperti mjeko-ligjor Naim Uka, i cili e ka kryer autopsinë e të ndjerës Liridona Ademaj, tha se distanca e qitjes ka qenë 2-5 centimetra.
“Gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse kemi konstatuar përreth vrimës hyrëse prezencën e faktorëve plotësues të qitjes, të cilët kanë shkaktuar edhe djegie lëkurore me prezencë të grimcave të barutit dhe në bazë të këtyre provave mjeko-ligjore është konstatuar se distanca e qitjes sillet prej 2 deri në 5 cm. Përjashtohet mundësia e vrasjes me puthitje apo me gjysmëputhitje, për shkak të mungesës së stampimit të tytës së armës në indet e buta përreth vrimës hyrëse të plagës”, tha Uka, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai shtoi se plaga është përshkruar se kishte formë trekëndëshe, e cila është shoqëruar me thyerje të shumëfishta.
“Në raste të ngjashme, kur mungojnë të dhënat preliminare nga vendi i ngjarjes gjatë kryerjes së autopsisë, kryhen edhe ekzaminimet e detajuara të shuplakave të duarve të të ndjerit/të ndjerës. Edhe në këtë rast kemi kryer ekzaminimin e të dy duarve të të ndjerës, kështu që, bazuar në prezencën apo mungesën e faktorëve plotësues të qitjes dhe njollave të gjakut, është eliminuar mundësia që e njëjta të ketë përdorur ndonjë armë apo të ketë shkaktuar vetëvrasje”, tha ai.
Po ashtu, Uka theksoi se gjatë ekzaminimit të jashtëm trupor, është konstatuar gjakderdhja e mbledhur.
“Bazuar në literaturën shkencore mjeko-ligjore dhe në praktikat mjeko-ligjore, dëshmohet se kjo gjakmbledhje është shkaktuar para apo gjatë vrasjes së tani të ndjerës. Përjashtohet çdo mundësi tjetër që kjo gjakderdhje të jetë shkaktuar pas vdekjes së të ndjerës”, shtoi ai.
I akuzuari Naim Murseli tha se sipas Prokurorisë ai e ka mbajtur tani të ndjerën që të mos i shmangej plumbit dhe e pyeti ekspertin mjeko-ligjor nëse edhe raporti i tij e thotë të njëjtën gjë. Eksperti tha se nuk e paragjykon pozitën apo situatën e tani të ndjerës në momentin e vrasjes së saj.
“Mjeku ligjor e ka obligim të bëjë përshkrimin e qartë të çdo dëmtimi trupor, duke i përshkruar karakteristikat në bazë të të cilave bëhet interpretimi i provave mjeko-ligjore për prokurorin e shtetit në fazat e hetimit dhe për kolegjin e trupit gjykues në fazën e gjykimit”, tha ai.
Murseli e pyeti ekspertin edhe nëse është e vërtetë që lëndimi mund të jetë shkaktuar 59 minuta apo 10 sekonda para vdekjes.
Eksperti Uka tha se lëndimi ka mundur të shkaktohet deri në 3 orë para vdekjes. Ai tha se nuk mund ta përjashtojë mundësinë e vetëlëndimit gjatë tentativës për të ikur, por theksoi se kjo nuk është detyrë e tij.
Betimi për Drejtësi e ka parë edhe raportin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ku thuhet se Naim Murseli nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.
Edhe në seancën gjyqëspre të 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, kishin thënë se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt. më 29 nëntor 2023. Në aktakuzë thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava, me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.
Seanca ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve.