– DY POETË NË BRONZET E TYRE –
Nga Visar Zhiti
…po kanë lindur në të njëjtën ditë… si sot, në 28 gusht… në vende të ndryshme dhe në shekuj të ndryshëm, u përkasin gjuhëve të ndryshme dhe kulturave të ndryshme, njëri ka madhësinë e kombit të tij të madh, që i ka dhënë botës, tjetri fatin e kombit të tij të vogël e të copëtuar nga bota, me dhëmbje të madhe:
John Wolfgang von Goethe dhe Ali Podrimja.
BARDI MODERN I DHIMBJES,BRONZ NË GJAKOVË…

Kështu kisha shkruar për Ali Podrimjen tonë. Na merr malli për poetin, lexojmë poezitë, aty është dhe zëri dhe datëlindja e tij, çdo ditë, jo vetëm sot… që do të ishte 84 vjeç…
Dhe, çuditërisht, sa më shumë kohë kalon, aq më pranë nesh ndjehet zëri yt, Baca Ali, – kështu të thoshim, – je mes nesh me çdo varg tëndin.
Ti e di dhimbjen. E kishe brenda vetes, u bërë vetë ajo, dhimbja…
“Lum Lumi” është një nga ato libra të tu, elegji që lexohet vetëm me shpirt. Aty është një atë, një bir, një dashuri që arrin qiellin…
Po pse pyete si në përrallat kur duam të vëmë fëmijën në gjumë:
KUSH DO TA VRASË UJKUN?
“WHO WILL SLAY THE WOLF” –
Është titulli i librit me poezi të Ali Podrimjes në anglisht, botuar në SHBA, në New York, “Gjonlekaj Publishing” – 2000, përkthyer nga Dr. Robert Elsie, albanalogu i shkëlqyer, mik i shtrenjtë i shqiptarëve.
Po pse pyete befas: Kush do ta vrasë ujkun, bre?
Who will slay the wolf?
Eh, ujku nuk është vetëm ujku, baca Ali, e kuptojmë, është dhe metaforë e egërsisë, e dhunës, e frikës, e së keqes, lukuni mes nesh që na sulen… po është dhe ai terr brenda njeriut, brenda vetes që duhet të përballemi.
Dhe duhet bërë ujk, guximtar si ai, prandaj dhe shqiptarët e vënë emrin ujk dhe ndër njerëz. Pyetja mbetet nëse do të guxojmë t’i dalim përpara tjetrit, vetes…
Njeriu për njeriun është ujk, me kuptim tjetër do të doja tani: kundër së keqes së tij… Ndoshta poezia është pikërisht ajo që hyn në pyllin ku kemi frikë. Nuk i zhduk ujqërit. Është vetë ujku, që heq pushtetet, mitin, prandaj dhe vazhdon të ulërijë…
ME ELEGJINË NË DORËTË SHKOSH TE STATUJA E GËTES NË CHICAGO…
… do të më mjaftonte dhe sot për të përkujtuar datëlindjen e tij, të shkoja sërish në Lincoln Park, pranë shtatores dhe të lexoja me zë “Elegjinë e Marienbadit”, ta ulërija në heshtje, e kisha gati.
Dhe vetëm një poet si Gëte mund të bashkojë ato që duken të pamundura, trishtimin njerëzor dhe dashurinë, yjet dhe ujkun e padukshëm brenda vetes, shqiponjën me këmbën që ecën, kohët – më të ndryshme se qytete të ndryshëm, të huaj për njeri-tjetrin dhe larg, shumë larg, por të përmbledhura në një çast, të bashkojë popuj dhe kontinente…
GËTE,

Ju takuat në Marienbad, në Çeki, një vajzë të bukur, që ju trallisi, ishte e bija e asaj që kishit dashur dikur, i ngjante mrekullisht së ëmës, – kështu tregohet dhe unë po e tregoj prapë, – ju shkruat një elegji madhore për jetën dhe të pamundurën…
Po dhe ky përkthim imi i Elegjisë ka një rrëfim, është imi, s’ka rëndësi për të tjerët, ndodhi në Spaç, e kam treguar në burgologjinë “Rrugêt e ferrit”, si e gjetëm poezinë, në rusisht, ma dha Ron Ç., si rrekeshim fshehurazi ta përkthenim, ia tregova fletën mjekut të burgut si një recetë, Nuri S., kishte qenë në Marienbad ai, kishte studiuar në Çeki, ishte dashuruar, por kur ishte kthyer në atdhe, nuk u lejua ta merrte atë që donte, shoqen e jetës, as të shkonte tek ajo, ishin prishur marrëdhëniet midis shteteve siç ndodh dhe me njerëzit. Dhe atë, Doktorin, e futen në burg, etj, etj. Kur ra perandoria komuniste, me t’u liruar, kur ajri dukej si i mbyshur me ulërima ujku, ai shkoi në Çeki, por të dashurën e dikurshme e gjeti të martuar dhe pikërisht ajo u kujdes që mikut shqiptar t’i bënte grua një shoqen e saj, kështu më thanë, trillet e jetës.
Një shtjellë të tillë ndjesish më duket se përftohet dhe nga “Elegjia e Marienbadit”, që Gëte e ka universalizuar. Aty janë ç’thashë, ende më shumë, po e risjell, le t’i ngjajë përsëritjes së urimeve në datëlindjet:
J. V. GËTE
ELEGJI E MARIENBADIT
Një mundim zemre rritet brenda meje
Për atë që është e shenjtë
e nuk shprehet.
Ja e pakapashmja në jetë të jetëve,
Ta lësh veten prej çastit
të rrëmbehet.
Oh, ç’gjë hyjnore! Unë këtë e di,
E ndjej me gjithë shpirt
kur pranë saj rri.
Ç’vështrim plot rreze
sa ditën e mahnisin
Dhe frymë e saj prej flladesh
pranverore
Si akull të zi e shkrijnë egoizmin.
Mbyllen brenda në varre dimërore
Sqima, kokëfortësia e kota famë
E s’kthehen më – atë e kam pranë.
Zëri i saj sikur më pëshpërit:
Jeta dhuron orët, orët nëpër botë.
Për të nesërmen s’ka parashikim
E shqetësimi për të djeshmen
është i kotë.
E në i trembësha muzgut që vjen pas,
Ja, dielli perëndon gjithë ndjenja,
buzagas.
Vështroje si unë çastin drejt në sy,
Shpejt dhe lehtë me mendje
të gëzuar.
I gjallë dhe mirënjohës derdhu te ay
Në punë dhe harè,
përherë i dashuruar.
Kudo qofsh, prej teje fryftë fëmijëri,
Atëhere s’të mposht dot, jo, asnjeri.
Dhe e kuptova – kështu fole ti.
Çastin si një zog me flatra ere
Në gjirin e jetës e futi një Hyjni.
I zgjedhur i çastit je veç pranë teje.
Oh, thirrje e ndarjes bëhet ankth
në eshtra,
E ç’dobi pata nga ato
të lartat shkenca?!
Tani jam larg dhe larg pa asnjë punë,
Ç’të bëj me kohën time unë pa ty?
Ka gjëra të bukura shumë, shumë,
Do hedhur barra që s’më hyn në sy.
Një brengë vdekje më gllabëron,
më tund.
Rrugëdalje s’ka, lotët s’paskan fund.

