Prishtinë, 29 tetor 2021 – Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, mund të takohen nga mesi i muajit nëntor për të vazhduar diskutimet rreth përdorimit të targave të makinave, një nga pikat e marrëveshjes së 30 shtatorit që i dha fund krizës në veriun e Kosovës rreth kësaj çështjeje.
Por nuk ka ende ndonjë shenjë për takim të nivelit të lartë politik në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë thanë të premten se janë në komunikim me Brukselin rreth çështjeve të hapura dhe shkëmbimeve në distancë të mospajtimeve midis palëve.
Javën e kaluar ekipi përfaqësues i boksit të Kosovës nuk u lejua të hyjë në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd, duke nxitur reagimin edhe të Bashkimit Evropian. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të premten se çështjet e tilla trajtohen në Bruksel edhe jashtë takimeve ndërmjet palëve.
“Së pari me bllokimin që ua bëri boksierëve tanë Serbia në kufi e shpërfaqi edhe njëherë fytyrën dhe thelbin e saj si shtet për ata që kanë pasur dilema. Natyrisht që të gjitha këto çështje adresohen edhe në Bruksel, këto do të adresohen edhe para se të ketë takim në Bruksel sepse ne jemi vazhdimisht në komunikim me ta përmes letrave që ua dërgojmë dhe takimi do të mund të ndodhte diku në gjysmën e dytë të nëntorit sa i përket përfaqësuesve të dy shteteve tona ndërkaq sa i përket udhëheqësve të dy shteteve tona nuk ka ndonjë datë për këtë gjë por besoj që kjo varet në masë të konsiderueshme prej ndërmjetësuesit apo lehtësuesit që është përfaqësuesi i lartë zotri Borrell përkatësisht emisarit të tij zotit Lajçak”, tha ai.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha ndërkaq se po pret nga Brukseli një përgjigje rreth qëndrimeve të autoriteteve në Prishtinë se nuk do të ketë ndryshim të kushtetutës së Kosovës për hir të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është pjesa më e vështirë e bisedimeve. Beogradi ngulë këmbë që kjo të jetë kryetema e takimeve të ardhshme.
Të enjten zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar tha se bisedimet janë rruga më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
“Dialogu është forumi përmes së cilit të dyja palët duhet të punojnë si të barabarta për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre dhe për të normalizuar marrëdhëniet dhe ideale do të ishte që kjo të bëhej përmes njohjes së ndërsjellë”, tha ai.
Presidenti serb tha se vendit të tij nuk i duhet njohja e Kosovës, ndërsa theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre rreth pavarësisë së Kosovës në të cilën tha ai, kanë investuar shumë.
Ai vuri theksin tek siç tha, qëndrimi i zotit Escobar se palët duhet të zbatojnë tërë ato që kanë nënshkruar në Bruksel.
Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve është kusht për afrimin me strukturat e Bashkimit Evropian, një synim që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara që kohët e fundit kanë dërguar sinjale më të forta për përfshirje më të madhe në përmbushjen e aspiratave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim.
(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)