Tiranë, 12 dhjetor 2025 – Endrit Shabani u zgjodh Avokat i Popullit me 85 votat e mazhorancës socialiste dhe Partisë Social Demokrate, ndërsa opozita braktisi sallën e Kuvendit gjatë votimit, të enjten në mesnatë.
Shabani ishte një ndër 6 emrat e mbështetur me firmat e deputetëve të Partisë Demokratike dhe të kualifikuar nga Komisioni parlamentar i Ligjeve për tu votuar në seancë dhe pse të gjithë deputetët mbështetës kishin depozituar në Kuvend tërheqjen e tyre nga firmat mbështetëse.
Por mazhoranca socialiste refuzoi të pranonte këtë tërheqje dhe votoi në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus Shabanin.
Me profesion pedagog i së drejtës ai e ndërtoi karrierën e tij si politikan i ri që luftonte kundër mendësisë së politikës së vjetër dhe dualitetit të dy partive të mëdha.
Shabani garoi në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës me partinë e tij “Nisma Thurje” në një koalicion me një tjetër politikan të ri, Adriatik Lapaj i “Shqipëria Bëhet”, por pas zgjedhjeve u përfshinë në një konflikt për mandatin e deputetit që ky koalicion mori nga zgjedhësit. Ai dha dorëheqjen nga drejtimi I partisë para se të kandidonte për Avokat i Popullit, një pozicion ku më herët janë zgjedhur kryesisht emra që vinin nga jashtë politikës dhe me kontribut në shoqërinë civile dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Shabani e cilësoi votimin për emrin e tij si prekës dhe një suprizë ndërsa shprehu keqardhje për qëndrimin e Partisë Demokratike.
“Mbetem akoma i befasuar me deputetët e opozitës, të cilët fillimisht më inkurajuan me dashamirësi, më dhanë firmat e tyre sipas ligjit dhe më uruan sukses, por më pas vendosën ta braktisnin kandidaturën time a thua se nuk ishte e tyrja”- shkruan Shabani në një reagim në rrjetet sociale të premten.
Nga ana tjetër, votën e deputetëve socialistë ai e vlerëson si “një akt pjekurie politike për të zgjidhur ngërçin e stërzgjatur të institucionit dhe hedhur një hap domethënës për procesin e negociatave, ku ky ngërç shënohej si detyrë e pakryer shtëpie”.
Pozicioni i Avokatit të Popullit ishte shpallur vakant që në pranverë të vitit 2022, ndërsa disa procese të nisura nuk arritën të mbyllen me sukses për mungesë të një konsensusi mes palëve.
Për zgjedhjen e kreut të këtij institucioni të pavarur që kërkon një votim me shumicë të cilësuar mbi 84 vota është krijuar një traditë politike që I jepet një kandidati të mbështetur nga opozita.
Një kandidat për të kaluar fazën e kualifikimit zyrtar në Kuvend i duhen 28 firma mbështetëse nga deputetët, një proces që dhe më parë gjatë tre këtyre tre viteve e kanë plotësuar disa kandidatë.
Procesi ngec në momentin kur kërkohet një emër që të ketë konsensus të dy palëve të politikës, që në këtë rast opozita nuk e dha për Shabanin.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi atë si kandidat të socialistëve, ndërsa deputetët firmëtarë I konsideruan firmat për Shabanin si mundësi për për t’u përfshirë në garë, jo si mbështetje politike për ta zgjedhur.
Kandidatët e tjerë të cilët po ashtu kishin marrë firmat mbështetëse nga deputetë të PD-së dhe u votuan të enjten në Kuvend ishin Adriana Kalaja, Besim Ndregjoni, Aranita Brahaj, Skënder Haluci dhe Tartar Bazaj.
Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike. Kreu i këtij institucioni zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë 5 vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje.