Engjëll Agaçi u thirr në SPAK, besohet se u mor në pyetje për inceneratorët

Tiranë, 14 tetor 2022 – Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, është thirrur të premten në Prokurorinë Speciale Kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit, SPAK.

Gazetarja Klodiana Lala, në një raportim për News24, ka marrë vesh nga burime jozyrtare se Agaçi është marrë në pyetje lidhur me inceneratorët.

“Agaçi u paraqit në SPAK ku qëndroi për një orë. SPAK nuk preferoi të jepte komente, por News24 e filmoi Agaçin kur e la prokurorinë. Ai nuk pranoi të jepte detaje nga marrja në pyetje”, raportoi Lala.

Burimet kanë konfirmuar se Agaçi ka mbërritur në SPAK në përfundim të orarit zyrtar dhe ka marrë kontakt me prokurorin Dritan Prençi, i cili po heton çështjen e inceneratorit të Tiranës, prandaj besohet se Agaçi është marrë në pyetje lidhur me këtë çështje.

Më herët, Agaçi ka dhënë dëshmi në Komisionin Parlamentar për hetimin e çështjes së inceneratorëve.

Gazetarja Lala ka treguat se ish-ministri Lefter Koka gjendet në paraburgim lidhur me çështjen e inceneratorëve. Ndërkaq ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, i cili deri para pak ditësh ndodhej në paraburgim, tani është në arrest shtëpie.

“Gjasat janë që SPAK po i përfundon hetimet”, ka thënë ajo, transmeton BalkanWeb.

(r.m.)