Erden Atiq e merr detyrën e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Katarina Anxhiq emërohet nënkryetare

Prishtinë, 19 maj 2023 – Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka bërë betimin dhe e ka marrë detyrën, në seancën solemne të Kuvendit Komunal, të premten, më 19 maj,

Në këtë seancë, Atiq e ka emëruar nënkryetare të komunës, Katarina Axhançiqin, pjesëtare e komunitetit serb.

Pas betimit, Atiq ka thënë se ai do të punojë me të gjithë qytetarët, pa dallim dhe pa disktriminim. Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me udhëheqjen e re komunale për të mirën e qytetarëve.

“Ne me gjithë ekipin, do të punojmë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe pa diskriminim. Angazhimin më të madh do ta bëjmë për ta normalizuar këtë pjesë të komunës. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të na takojnë, të na vizitojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë, për të mirën e qytetarëve”, ka deklaruar Atiq, në një deklaratë për media, pas betimit.

Nënkryetarja e sapoemëruar, Katarina Axhançiq, ka thënë se ka ardhur koha për të punuar për jetë më të mirë për qytetarët.

“Qytetarët tanë meritojnë ta kenë jetën e tyre më të lehtë dhe më të mirë. Vendosëm që të kemi një ekip të mirë, bashkëpunim të mirë me qytetarët dhe së bashku do të bëjmë gjithçka që mund të bëhet”, është shprehur Axhançiq.

Ajo ka pranuar se nuk ka pasur shumë takime me përfaqësues të komunitetit serb në veri, por ka paralajmëruar se do ta bëjë një gjë të tillë.

Kryetari i ri është pyetur në lidhje me iniciativën e Kuvendit Komunal për hapjen e plotë të urës mbi lumin Ibër që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut, mirëpo nuk ka dhënë një përgjigje konkrete.

“Ne, si ekzekutiv, e kemi qëllimin t’ua lehtësojmë jetën qytetarëve dhe, normalisht, do të angazhohemi që të kapërcejmë çfarëdo pengese që kanë qytetarët, t’i rregullojmë problemet”, ka thënë Atiq.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e betimit të kryetarit të Atiqit, ka thënë se ministria që e udhëheqë është duke e shqyrtuar vendimin për urën.

“Vendimi është marrë nga Kuvendi Komunal. Vendimi është në ministri, në proces të vlerësimit të ligjshmërisë. Posa të përfundojë ky vlerësim do të jetë në tryezën time”, ka thënë ai.

Para fillimit të seancës solemne të betimit të kryetarit të ri, në ndërtesën e Komunës së Mitrovicës së Veriut është vendosur flamuri i Republikës së Kosovës.

Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, u zgjodh kryetar i komunës së Mitrovicës Veriore në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill. Ai i fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave.

Në këto zgjedhje morën pjesë vetëm 3.47 për qind e votuesve, pasi komuniteti serb i bojkotoi ato, me rekomandim të Beogradit zyrtar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët nuk do t’i njohin kurrë kryetarët e zgjedhur në këto zgjedhje, të cilat i ka cilësuar si  formë presioni për largimin e serbëve nga Kosova.

Ka pasur paralajmërime se serbët do të pengojnë organizimin e ceremonivee të betimit të kryetarëve të rinj në katër komunat veriore, prandaj faktori ndërkombëtar ka paralajmëruar se do të kundërshtojë ashpër çfarëdo veprimi që mund të shkaktojë ngritje të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

SHBA u ka kërkuar të dy palëve vetëpërmbajtje nga çfarëdo veprimi që do të provokonte tensione. Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, ua ka përcjellë presidentit të i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës (Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok) u shpallën pasi kryetarët dhe anëtarët e kuvendeve komunale u larguan nga institucionet e Kosovës, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin dhe pajisjen me targa legale të Kosovës të automjeteve të serbëve të Kosovës të regjistruara në mënyrë të paligjshme në Serbi.

(r.m.)