Të martën në 23 gusht, dilni dhe votoni për kandidatin Vedat Gashi!
Nga Harry Bajraktari
Këtë të martë, në 23 gusht, kemi shansin e madh për të dërguar një shqiptar në Kongresin Amerikan. Vedat Gashi po kandidon në zgjedhjet primare të Partisë Demokrate në Distriktin e 16 Kongresional në New York.
E njoh Vedatin shumë mirë, si person dhe si zyrtar i zgjedhur në shërbim të popullit. E njoh familjen e tij dhe historinë tij.
Ai do të ishte një kongresist i shkëlqyer për komunitetin tonë, për Distriktin e 16, për banorët në Westchester dhe Bronx, për New York-un dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vedat Gashi ka një histori të bukur jete. Djalë emigrantësh që punuan pa u lodhur e sakrifikuan që ai të studjonte në universitet. Vedat u diplomua me sukses dhe shkëlqeu si profesionist e hapi biznesin e tij. Ai ishte mirënjohës për ndihmën që iu dha në jetë dhe u fut në politikë që të ndihmonte edhe ai njerëzit. U zgjodh dy herë me sukses në Bordin e Ligjvënësve të Westchesterit dhe shërbeu me ndershmëri dhe pasion.
Këtë të martë, në 23 gusht, mund ta ndihmojmë që të hyjë në histori. Nëse fiton në zgjedhjet brenda Partisë Demokrate, rruga drejt Kongresit është e hapur. Ai përballet me kundërshtarë të fortë por ka mundësi të madhe që të fitojë. Për këtë i duhet sa më shumë ndihmë nga ne.
Dilni dhe votoni të martën për të. Thuajini anëtarëve të familjes dhe miqve që të votojnë edhe ata. Merrini me vete.
Që të votoni duhet të jeni të regjistruar si Demokratë dhe të jetoni në një nga këto vende, në Distriktin e 16 Kongresional në New York: Ardsley, Bronxville, Dobbs Ferry, Eastchester, Elmsford, Harrison, Hartsdale, Hastings On Hudson, Irvington, Larchmont, Mamaroneck, Mt. Vernon, Larchmont, New Rochelle, Pelham, Port Chester, Purchase, Rye, Rye Brook, Scarsdale, Tarrytown, Tuckahoe, West Harrison, White Plains, Yonkers, and Wakefield in The Bronx.
Pasi të votoni, postoni një fotografi në median sociale, dhe bëjini “tag” miqve tuaj. Kjo do të nxisë edhe të tjerët që të votojnë. Nuk mund të rrimë indiferentë në një moment si ky.
Erdhi dita!
Votoni për Vedat Gashin!