Erdogan konfirmon se forcat turke vranë shefin e IS-it në Siri

Ankara, 1 maj 2023 – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, konfirmoi se forcat turke e kanë vrarë liderin e supozuar të grupit të Shtetit Islamik (IS).

Gjatë një interviste për televizionin turk TRT, Erdogan tha se lideri i IS-it, i njohur si Abu Hussein al-Qurayshi, u vra në një sulm të kryer të shtunën, më 29 prill. Ai tha se agjencia turke e inteligjencës, MIT, kishte qenë duke e ndjekur “për një kohë të gjatë” Qyrayshin.

“Ne do ta vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste pa diskriminuar asnjërën prej tyre”, tha Erdogan.

Forcat turke kanë kryer operacione të shumta kundër IS-it dhe grupeve kurde përgjatë kufirit sirian, duke kapur ose vrarë militantë të dyshuar.

Turqia kontrollon pjesë të mëdha të territorit në Sirinë veriore, pas një serie inkursionesh tokësore për t’i larguar grupet kurde nga kufiri turko-sirian.

Abu Hussein al-Qurayshi u emërua udhëheqës i grupit militant në muajin tetor, kur u vra kreu i mëparshëm i grupit. Një zëdhënës i IS-it e quajti atë “një nga luftëtarët veteranë dhe një nga djemtë besnikë të Shtetit Islamik”.

Ai mori drejtimin e IS-it në kohën kur grupi ekstremist e humbi kontrollin e territorit që e mbante në Irak dhe në Siri. Megjithatë, grupi u përpoq të aktivizohej sërish, duke kryer disa sulme vdekjeprurëse në të dyja vendet.

Themeluesi i IS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, ishte vrarë në një sulm në veriperëndim të Sirisë, ku ishte rrethuar nga forcat amerikane, në tetor të vitit 2019. Pasardhësi i tij, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi, u vra në një sulm të ngjashëm, në shkurt të vitit 2022. Ai u pasua nga Abu al-Hassan al-Hashimi al-Qurayshi, i cili, sipas ushtrisë amerikane, u vra në mes të tetorit në një operacion nga rebelët sirianë në provincën jugore të Sirisë, Daraa.

Grupi IS u shkëput nga al-Kaida rreth një dekadë më parë e pastaj arriti të kontrollojë pjesë të mëdha në Sirinë veriore dhe lindore, si edhe Irakun verior dhe perëndimor. Në vitin 2014, ekstremistët shpallën të ashtuquajturin kalifat, duke tërhequr mbështetës nga e gjithë bota.

Në vitet në vazhdim, ata pretenduan se ishin përgjegjës sulme të shumta në të gjithë botën që vranë dhe plagosën qindra njerëz, përpara se të sulmoheshin nga vende të ndryshme të botës. Në mars të vitit 2019, luftëtarët sirianë të mbështetur nga SHBA-ja morën kontrollin e pjesës së fundit të territorit që dikur mbanin ekstremistët në provincën lindore të Sirisë, Deir el-Zour, që kufizohet me Irakun.

(REL)