
Interesimet për gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare në SHBA shtyhen në kohë deri nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i sh. XX. Ato kanë qenë në ndërlidhje me vendosjen dhe forcimin e komunitetit shqiptar në Amerikë, kështu që në pjesën e dytë të sh. XX studimet për shqiptarët marrin impulse të reja.
Pas brezit të hershëm të veprimtarëve të pranishëm dhe në opinionin e atjeshëm si Sotir Peci, Kostë Çekrezi, Nelo Drizari, Kristo Dako, Qerim Panariti, e sidomos Fan Noli e Faik Konitza, botimit të gazetave Besa-Besë, Kombi, Dielli e veprimtarisë së gjithanshme të shoqatës Vatra, pas Luftës II Botërore pati intensifikim veprimtarish kulturore publike të shqiptarëve në Amerikë dhe afirmim personalitetesh si Safete Juka, Nikolla Pano, Peter Prifti, Arshi Pipa, Stavro Skendi, Sami Repishti e shumë të tjerë, që zhvillonin veprimtari jo vetëm midis shqiptarëve po edhe në hapësirat e atjeshme. Me shumë vlerë për studimet për gjuhën shqipe dhe shqiptarët në Amerikë kanë qenë ato të studiuesve amerikanë, ndër të cilët qysh në fillim shquhet Eric Pratt Hamp (1920-2019).

Kush ishte Eric P. Hamp?
I lindur në Londër nga prindër britanikë, emigroi në SHBA si fëmijë për të vazhduar formimin afër New Jersey-t, shtetas amerikan u bë më 1947. Shkollimin e mesëm e ndoqi në Maryland. Me kërshërinë e plurilinguizmit hyri në Amherst college dhe më 1942 mori gradën Bachelor of arts, me përqendrim në greqishten dhe latinishten (gjuhët klasike do të jenë me rëndësi për zhvillimin). Pastaj shkoi me shërbim ushtarak në Afrikën e Jugut, ku shërbeu deri më 1947. Në këtë vit hyri për studime në Harvard University – Departamenti i Filologjisë krahasuese (më vonë i Linguistikës), ku mori gradën shkencore Master (1948) dhe më 1954 PHD. Nga 1950 u punësua në Universitetin e Chicago-s ku do të bëhej profesor i shquar i gjuhësisë, i ballkanistikës, i gjuhëve dhe letërsive sllave, i psikologjisë dhe më vonë i Komitetit të Botës së Lashtë. Në shekullin e tij të punës gjithnjë në Chicago, kryesoi Departamentin e Linguistikës (1966-1969) dhe drejtoi Qendrën e Studimeve ballkanike dhe sllave (1965-1991). Ka qenë Kryetar i Linguistic Society of America dhe editor i International Journal of American Linguistics.
Në studimet që ndoqi në Harvard si mentorë kishte dy profesorë të shquar: Joshua Whamough – klasicist dhe indoeuropianist, dhe Keneth H. Jackson – keltist, dhe nën drejtimin e tyre i thelloi studimet në gjuhësinë historike dhe sidomos lidhur me familjen e gjuhëve indoeuropiane. Pikërisht kjo ishte koha kur atij iu shtua interesimi për gjuhën shqipe, për përparësitë që mund të ofronte ajo dhe studimi i saj lidhur me të kuptuarit e zhvillimeve gjuhësore në Ballkan dhe në familjen indoeuropiane.
Në studimet gjuhësore indoeuropiane dhe përgjithësisht të gjuhësisë së krahasuar Eric P. Hamp me kohë nga mentorët e tij autoritativë ishte orientuar drejt hulumtimeve të përgjithshme dhe në të njëjtën kohë drejt gjurmimit konkret në gjuhët me të cilat do t’i zgjeronte kërkimet: studimet në terren për të folmen arbëreshe të Vakaricës në Italinë e Jugut, çka do ta lidhte për gjithë jetën me studimet për shqipen. Kapacitetet e tij shumë të gjera e çuan më tej të merrej konkretisht me hulumtime terreni me të gjitha të folmet shqipe jashtë Shqipërisë, ku nuk kishte akses si shtetas amerikan, por më i frytshëm në punën e tij do të ishte në studimet e terrenit të të folmeve arbëreshe të Iitalisë dhe të Greqisë, ndërsa horizontin e linguistit komparatist ta zgjeronte përmes studimeve për zhvillimet e strukturave gjuhësore nëpër faza të ndryshme e në krahasim me familjen e madhe të gjuhëve indoeuropiane, duke prodhuar rrugës shumë dije për studimet etimologjike dhe duke ofruar rezultate konkrete për shumë etimologji të shqipes.

Përtej studimeve të shqipes, ai pati interese të shquara dhe shumë rezultative për të folme konkrete gjuhësh të tjera, si për shembull për të folmet sllovene në Itali, për të folmet gaelike në Francë apo për realitetet gjuhësore të keltishtes gjithandej, ashtu si për historinë e tyre, për hulumtimet e gjuhëve të indianëve të Amerikës apo të lidhjeve gjenetike midis gjuhëve Jeniseike të Siberisë dhe dhe Na-Dene të Amerikës së Veriut. Mbi të gjitha studimet e Eric P. Hamp-it kanë qenë të gjera, të shtrira në mbi 7 dekada, në fushën e krahasimit dhe të studimit të raporteve të ndërsjella në dy hapësira të mëdha: në hapësirën e studimeve krahasuese-historike indoeuropiane, ku ndihmesat e tij për studimet keltike kanë qenë me vlerë të madhe, ashtu si studimet për shqipen dhe raportet e saj me gjuhët e tjera indoeuropiane, gjithë duke i ndërlidhur këto dhe me raportet midis gjuhëve të Ballkanit, e në këtë kontekst edhe me gjuhët e Ballkanit të lashtë. Dijetar i shquar i parimeve të gjuhësisë historike-krahasuese, njohës i jashtëzakonshëm i metodologjive të studimit në këto raporte, në fonologji, në morfologji dhe semantikë, ai ka dhënë ndihmesa të shkëlqyera për rafinimin dhe zbatimin rigoroz të parimeve të gjuhësisë së krahasuar-historike.
Ndikimi i ideve dhe studimeve të Hamp-it në botën e gjerë të studimeve krahasuese-historike dhe në fushën e studimeve albanistike, ballkanistike, ashtu si në hapësirat e keltishtes, ka qenë i shënueshëm. Me të në një mënyrë a një tjetër ndërlidhen studimet e suksesshme amerikane për shqipen dhe gjuhët e Ballkanit. Mund të thuhet se pas H. Pedersen-it e N. Jokl-it, E. P. Hamp është linguisti më i shquar i botës që merret me shqipen qysh në formimin e tij të hershëm dhe gjatë tërë jetës së tij. Ishte i pari amerikan që u mor me shqipen, duke lënë gjurmë në zhvillimet e studimeve albanologjike në Amerikë e në botë në përgjithësi dhe duke e mbajtur shqipen si objekt vështrimi, apo si pikënisje analizash më të gjera në dy fusha të mëdha ndërkombëtarisht të rëndësishme në këtë shekull: në gjuhësinë krahasuese-historike indoeuropiane dhe në gjuhësinë ballkanike. Po përmendim dhe disa nga emrat e shquar të personaliteteve të gjuhësisë albano-ballkanologjike që ndërlidhen me Hamp-in dhe sukseset që janë shënuar në studimet albanologjike, ballkanologjike, krahasuese-indoeuropiane, etj. në SHBA, si L. Newmark, J. Byron, G. L. Bevindgton, M. Huld, K. Kazazis, J. Brian, V. Friedman, e të tjerë të shquar në gjuhësinë amerikane.

Eric P. Hamp rezultatet e studimeve të tij parapëlqente t’i paraqitte në formë artikujsh të shkurtë të përqendruar: ka botuar mbi 3.500 të tillë nëpër revistat më të ndryshme të specializuara të botës. Ka botuar dhe në revistat shqipe të Kosovës, të Shqipërisë, të arbëreshëve apo në revistat albanologjike-ballkanologjike gjithandej. Ka botuar dhe vepra të veçanta, ndër të cilat do të veçoj A Glossary of American Linguistic Usage 1925-1950, Vaccarizzo Albanese Phonology 1993, Readings in Linguistics bashkë me autorë të tjerë, ku janë përmbledhur tekstet më përfaqësuese për periudha të caktuara të studimeve linguistike në botë, e shumë të tjera bashkë me autorë të shquar, apo vetëm.
Disertacioni i tij i doktoratës për sistemin fonologjik të arbërishtes së Vakaricos ishte përfunduar më 1954, por kishte mebetur i paboruar me dekada. Ne kishim dashur ta botonim në Prishtinë në vitet ’80, por përshkallëzimi i gjendjes ndër ne atëherë e bëri të pamundur, ndërkohë që idenë e përcolli mirë Francesco Altimari tek arbëreshët e Italisë dhe atje më 1993 u botua kjo monografi me vlerë në gjuhën angleze dhe e përkthyer italisht nga Ganni Belluscio.

Më 1993 Eric P. Hamp për ndihmesat e tij të rëndësishme në studimet albanologjike ishte zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, por në rrethanat e atëhershme nuk qe e mundshme të vinte ta merrte vetë fletëdëshminë, të cilën e mori vetëm me rastin e vizitës së tij në Prishtinë më 2005. Përgatitja e botimit të studimeve të përzgjedhura të E. P. Hamp-it në gjuhën shqipe nga R. Ismajli (me përkthim nga B. Rugova, Rr. Paçarizi, Sh. Munishi, G. Bërlajolli, B. Pllana, R. Ismajli) me titullin Studime krahasuese për shqipen, mori një periudhë dyvjeçare, kështu që libri doli në serinë e botimeve të veçanta të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më 2007 në 440 faqe. Në të janë përfshirë 32 studime të Eric-ut, disa të gjera, e disa të tjera më specifike, që për subjekt kanë vështrime të ndryshme për shqipen në aspektin krahasues.

Gjatë hulumtimeve të tij prej shumë dekadash profesor Hamp vazhdimisht u është rikthyer temave të ndryshme dhe ka shprehur mendime e ide të reja. Mendimi i tij ka qenë gjithnjë në zhvillim.
Për shkak se në studimet albanistike dhe krahasuese botimet e para të Hamp-it kanë pasur një histori dhe me to është bërë një dialog, kishim vendosur të sillnim botimin e parë. Profesor Hamp ndërkohë e kishte ndjerë nevojën të na bënte me dije këto vrojtime: 1. Lidhur me artikullin e botuar në Encyclopedia Brittanica të vitit 1974 do shtuar se në botimet e mëvona të kësaj Enciklopedie ai ka shkruar tekst tjetër për gjuhën shqipe; 2. Lidhur me artikullin për Vendin e shqipes të vitit 1966 ai do të rekomandonte leximin e tij paralel me artikullin për tokarishten (1998); 3. Artikujt për Mesapishten dhe për Laringalet, nga pozita e tij e sotme, duheshin rishikuar. Këto dhe disa shënime që sjellim në vijim ai na i kishte bërë me dije në letrën e 4 dhjetorit 2007, kur në shtypshkronjë tashmë kishte përfunduar procesi i shtypjes së librit. Për këtë arsye ne vendosëm që të shtypnim një shtesë prej disa faqesh, ku shpreheshin desideratat e Profesorit të nderuar.
Profesor Hamp-i kishte shpresë se në studimin e tij Gjuha shqipe në fund të paragrafit për Historinë, f. 104 mund të integrohej ky tekst:
“(Mund të themi) Për shkak se Prizren (Recherches albanologiques 2, 1985, 57-8) e Prishtinë (<*sedn-a ‘gur/ shumës gurë + kolektiv/ grumbulluar’) na mësojnë se janë ndërtuar me *prit- nga IE *pt- (angl. ford, kymr. Rhyd’va’), një fjalë me vokalizimin ri, që gjuhësisht mund të jetë vetëm shqip, dhe u zëvendësua nga fjala latine uadum( > sot va), është e qartë se gjuha shqipe flitej në Kosovë qysh përpara se t’ia sillte Trajani popullit të Dakisë latinishten dhe shoqërinë e romakëve (G. B. Pellegrini, Avviamento aila linguistica albanese, Rende, 1998,200-1,4, 5-9) me fjalë të atilla si (Pellegrini 1998, 214-227) qytet, fshat, fqin, mik, mbret gjyq, shoq, shairë, luftë troftë, pemë, tërmet, e va. Për rolin etnografik të emrit IE *pt- të shihet E. P. Hamp, Parasession, Chicago Linguistic Society 1982,63-5.”
“Nga Chicago vjen ky qëndrim për t’u shtuar, po qe e mundshme, te Gjuha shqipe dhe do të rrinte më së miri në f. 91.’ Ju do të vendosni; mund të jepej publikisht çdo ditë pas kësaj jave të rëndësishme. E kam shtyrë për afërsisht 10 vjet.
“Të gjitha të dhënat dhe referencat për artikujt e mi të papërfshirë në këtë vëllim mund të jepeshin mbase me bold për të theksuar ndryshimin e mendimeve, meqë pajtohem me këmbë- nguljen tuaj se tekstet origjinale i ruajnë kronologjitë e vërteta. Shpresoj që dikush ta ketë korrektuar përmbajtjen jo numerike të Bibliografisë së Shqipja, sepse korrekturat mua më arritën tepër vonë për t’i bërë ndreqjet e plota para botimit. Një shënim përfimdimtar te f. 91 mund ta bënte të qartë se në botime të ndryshme të Brittanica kanë dalë tekste të ndryshme dhe se zërat te Encyclopedia of Languages and Linguistics 1994 dhe Mittelaiter ca. 1978 janë të ndryshëm dhe më të vonë, sepse unë kurrë nuk e përsëris tekstin enciklopedik.
“Vendi është shumë i hershëm dhe mund të suplementohej me leximin e artikullit për tokarishten 1998. Mesapishtja është mjaft i vjetër dhe ka nevojë për një ribotim të rishikuar. E njëjta vërejtje vlen dhe për Laringalet. Numërorët mund të përditësohej me referenca për artikujt për të cilët mund të çoj shënime.
“O…: ky artikull mund të përditësohej me referenca.
“Po shoh se Studime fier etj. shfaqet dy herë te Përmbajtja, mbase për dy qëllime, por me dy pagjinime/
“u-… është krejt në rregull, por mund t’i referohej një vijimi. Është do shënuar se pa hedhur asgjë nga artikulli i parë, një artikull i dytë i stërholluar dhe një shtesë për ndi tashmë janë hartuar dhe bërë gati për të shkuar në botim.
“Artikujt e tjerë janë krejt në rregull dhe më japin shumë kënaqësi.
Duke e parë tërë përmbajtjen dhe duke e ditur se sa me kujdes dhe saktësi i bëni gjithnjë gjërat, vërtet jam shumë i kënaqur me përmbajtjen që keni zgjedhur dhe ia keni dalë të përfshini. Mendoj se paraqet në mënyrë shënueshëm të mirë atë që do të kisha zgjedhur vetë duke e ditur hapësirën në dispozicion dhe varietetin. Më vjen shumë mirë për kujdesin ndaj rumanishtes dhe botimeve të tjera që shfaqin po atë frymë kujdesi që e ka demonstruar artikulli juaj i mrekullueshëm për botimet ballkanike një duzinë vitesh më parë. Do të shkruaj shkurt tani për shkak të urgjencës, por nuk e di si t’ju falënderoj në mënyrë të përshtatshme. Më thoni nëse keni nevojë për ndonjë gjë dhe do të përgjigjem menjëherë.
“Të fala familjes dhe të gjithë miqve.
“Përfundimisht, risia me interes në këtë vëllim të bën të ndjehesh falënderues.
Eric”

Eric P. Hamp ka qenë i njohur dhe shumë i respektuar gjithandej në botë. Pos në institucionet më të çmuara amerikane, ku ishte nderuar me doktoratë nderi, u çmua dhe nga Universiti i Edinburgut, Universiteti i Kalabrisë, Universiteti i Uelsit, universiteti i Delhit, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Anëtar nderi i Akademisë së Shkencae të Shqipërisë, etj. Ndër nderimet e posaçme është dhe ajo e Presidentes së Republikës së Kosovës, Z. Atifete Jahjaga më 1915 me Çmimin e posaçëm “Medalje Prsidenciale për Merita”, ndërsa Posta shqiptare më 1913 nxori një sërë pullash me portretet e tre albanolgëve të mëdhenj – H. Pedersen, N. Jokl dhe E. P. Hamp.

Letër e datës 23 XII 1996
Eric P. Hamp ka qenë mik i shquar i botës shqiptare. I ka ndjekur me kujdes zhvillimet në Shqipëri, në Kosovë e ish-Jugosllavi, ndër arbëreshë dhe kudo që ka pasur veprimtari shkencore e kulturore. Ka marrë pjesë në tubimet shkencore për albanologji gjithandej (në Shqipëri vetëm më 2009). Për herë të parë e kam takuar më 1972 në Innsbruck në Kolokuiumin për N. Jokl-in, ndërsa më 1976 kam pasur mundësi të jem bashkë me të për dy javë në ekspeditën dialektore në rrethin e Gucisë në Malin e Zi. Në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka qenë vizitues i shpeshtë. Në vitet ’90 ka shfaqur interesim të vazhdueshëm për zhvillimet në Kosovë, për çka po sjellim këtu dy shënime.
Më 23 dhjetor 1996 shkruante:
- [To: Texhep Ismajli, Prishtinë; From: EPH (Eric P. Hamp); Number of pages: 2.]
I dashur Rexhep,
Në fund, lajme të mira, mâ të mirat që lexoj këtu te “media”. Do t’i shkruaj diçka Times-it. Tash për tash të fala shumë mbë shpīt, mot e shumë familjes, fisit, gjithëve për Kërshndellat, për vitin e ri, për jetën, për gjithë shorçë që doni edhe që duhet
Nga fundi i zêmrës sonë,
E.

A12, 23 XII 1996, EDITORIAL i The New York Times:
Viktimat e aparteidit të Serbisë
Kriza politike që ka mbushur rrugët e Serbisë me protestues për më shumë se një muaj ofron njëfarë shprese për viktimat e harruara të Presidentit Sllobodan Millosheviq – 1.8 milionë shqiptarët që jetojnë në rajonin jugperëndimor të Kosovës. Ndonëse përbëjnë 90 për qind të popullsisë, shqiptarët sundohen në një stil brutal aparteidi nga serbët etnikë.
Z. Millosheviq e nisi ngjitjen e tij nga funksionar komunist në President të Serbisë me një fjalim emocional në Kosovë, në përkujtim të një humbjeje serbe të pësuar atje në vitin 1389, duke shfrytëzuar ndjenjën serbe se shqiptarët janë të huaj në tokën e shenjtë serbe. Pasi mori pushtetin në vitin 1989, z. Millosheviq nisi spastrimin etnik të shqiptarëve, të cilët gëzonin autonomi gjatë periudhës së komunizmit. Zyrtarët komunistë që kontrollonin qeverinë, shkollat dhe policinë ishin shqiptarë vendës.
Regjimi i Millosheviqit i pushoi ata nga puna, si dhe shumicën e shqiptarëve të punësuar në administratën shtetërore dhe në industri. Shkollat shqipe tashmë janë të ndaluara me ligj. Sipas një raporti të ri të organizatës “Human Rights Watch”, policia ndalon ose rrah dhjetëra shqiptarë çdo ditë. Forcat e sigurisë kanë vrarë 21 shqiptarë gjatë dy viteve të fundit. Serbët etnikë, veçanërisht refugjatët e luftës, inkurajohen të shkojnë në Kosovë dhe të marrin vendet e punës të shqiptarëve. Pothuajse 350,000 shqiptarë kanë emigruar.
Një grup terrorist shqiptar nisi sulme këtë vit, por shumica dërmuese e shqiptarëve kanë zgjedhur rrugën e mosdhunës. Aleati i tyre i vetëm lokal, shteti i Shqipërisë në jug të Kosovës, është i varfëruar dhe ka një ushtri të dobët. Presidenti i saj, Sali Berisha, është përmbajtur nga nxitja e shqiptarëve të Kosovës. Kjo është e rëndësishme, sepse konflikti në Kosovë mund të përhapet në Maqedoninë fqinje dhe të shkaktojë një luftë rajonale.
Administrata Clinton e kundërshton pavarësinë që kërkojnë shumë shqiptarë, por ka qenë mbrojtësja kryesore e Kosovës. Ajo e ka bërë respektimin e plotë të të drejtave të njeriut në Kosovë kusht për heqjen e sanksioneve që Beogradin e mbajnë jashtë Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe bllokojnë kreditë që mund të ndihmonin në rimëkëmbjen e ekonomisë së tij të rrënuar. Z. Millosheviq është përgjigjur me disa deklarata pajtuese lidhur me Kosovën, edhe pse deri më tani ato mbeten vetëm fjalë.
Udhëheqësit kryesorë të zgjedhur nga shqiptarët e Kosovës kanë hezituar t’i mbështesin protestat kundër Millosheviqit, pjesërisht sepse kundërshtarët më nacionalistë të Millosheviqit e kishin mbështetur në të kaluarën goditjen ndaj Kosovës. Por nacionalistët e kanë ndryshuar retorikën e tyre. Në një tubim proteste në fillim të këtij muaji, një nga udhëheqësit e tyre, Vuk Drashkoviq, kërkoi një minutë heshtje për një mësues shqiptar që vdiq në paraburgimin e policisë në Kosovë. Shqiptarët e Kosovës kanë arsye të jenë të kujdesshëm, por udhëheqësit e tyre kryesorë duhet ta kuptojnë se Kosova do të përfitojë nga një Serbi demokratike.
Shqiptarët e Kosovës kanë nevojë për vendosmëri të vazhdueshme nga Uashingtoni; rrënimi ekonomik ka nxitur protestat dhe z. Millosheviq është i dëshpëruar për t’u hequr qafe sanksionet. Pavarësisht se kush do ta drejtojë Beogradin, Uashingtoni duhet të vazhdojë të theksojë se sanksionet do të hiqen vetëm nëse plotësohen kushtet e tij, përfshirë të drejtat e plota për Kosovën.

Një tjetër letër e prof. Eric P. Hamp lidhet me periudhën e Rambouillet-së. Ia dërgonte M. Abramowitz, këshilltar në negociata, me vrojtimet e tij për Kosovën dhe me sugjerimet për një zgjidhje të përkohshme.
[THE UNIVERSITY OF CHICAGO, Fax: 202-483-9430
Morton Abramowitz, Adviser to Rambouillet Negotiations]
I dashur Z. Abramowitz,
“Po marr guximin të marr një çast nga koha juaj. Do t’ju kisha telefonuar në zyrën tuaj në Uashington javën e kaluar para se tduhej të nisnin negociatat e tanishme me qëllimin që të kujtoja disa çështje, por pasi kisha marrë vesh se ishit jashtë qytetit dhe pritej të ktheheshit ditën në vijim. Tash po lexoja raportin në New York Times të sotëm lidhur me ngjarjet e 7 shkurtit në Rambouillet dhe e kuptova qartë se ju nuk keni pasur kohë të përgjigjeshit në thirrjen time.
Prandaj po rrëmbej mundësinë të dërgoj një fletë në formë drafti ashtu si e kisha shkruar të mërkurën më 4 shkurt, që ndër të tjera përmban çështjet që doja të ngrija shkurtimisht me ju nëse do të kishin ndonjë interes për ju.
Në veçanti pikat 2, 7, dhe 9 janë paramenduar të sugjerojnë se duhet të përpiqemi të t’i vendosim qëllimet, të cilat i kërkojmë me vendosmëri në kontekstin e të drejtës zakonore vendëse që është e njohur dhe kuptohet nga populli i rajonit në fjalë.
Mendoj se qëllimi i pikave të tjera duhet të jetë i qartë në çdo rast dhe ato do të jenë të pranueshme ose jo për palët negociuese varësisht nga këndvështrimet e tyre. Mund të them se specifikimet e propozuara, që i lexova në “New York Times” të sotëm, përfaqësojnë – sipas mendimit tim – një tërheqje të theksuar në disa aspekte, gjë që është e pamençme si qëndrim fillestar. Konkretisht, e konsideroj të pamençme të lejohet qëndrimi në rajon i ndonjë kontingjenti ushtarësh të ushtrisë jugosllave apo i njësive të policisë së sigurisë serbe, përveç rasteve kur ato janë në numër shumë të vogël, të paarmatosura dhe nën varësinë e protektoratit, siç parashikojnë pikat 5 dhe 6. Gjithashtu, shoh mundësi për bllokim të pafundëm në strukturën e kuvendit legjislativ – me një kryetar që garantohet të jetë serb – si dhe në një sistem bankar ku Kosova nuk ka rol qendror. Në këtë mënyrë, kam përshtypjen se po propozohet t’i falen paraprakisht tepër shumë gjëra një administrate serbe, e cila po shfaq të gjitha shenjat se do të vazhdojë të veprojë si më parë.
Ju uroj shumë sukses. Me respekt,”
Eric P. Hamp
Robert Maynard Hutchins Distinguished Service Professor Emeritus,
Honorary Member, Academy of Sciences and Arts of Kosovë
February 8, 1999, 1010 East 59th street Chicago, Illinois 60637 773/ 702 8522 773/ 014 0924 fax
Mbi KOSOVË/O 1999
Pikat në vijim më duken të rëndësishme.
- Përgëzime për UÇK-në që shkoi në Rambuje.
- SHBA-ja tashmë e ka dëshmuar besën ndaj kosovarëve.
- Protektorati ndërkombëtar trevjeçar duhet të pranohet si një proces që çon drejt një referendumi/ plebishiti, i cili do të mbahej nën administrimin e protektoratit dhe do të realizohej nga populli i Kosovës.
- SHBA-ja duhet të marrë pjesë në protektorat dhe Kongresi duhet ta miratojë këtë.
- Protektorati do të përcaktojë nivelet e forcave vendëse të policisë dhe të armatimit.
- Personeli i protektoratit do të jetë e vetmja prani me status ushtarak.
- Serbia do të fitojë vëllazëri me SHBA-në (po ashtu edhe Mali i Zi, nëse do ta zgjedhë këtë) sapo të tërheqë nga Kosova trupat dhe policinë në numra të tepërt e të palejuar, si dhe të respektojë ligjet, statutet dhe kodet e protektoratit.
- Protektorati do të respektojë të gjithë njerëzit, pavarësisht përkatësisë etnike, bindjeve, gjinisë, racës apo origjinës, për sa kohë që nuk u shkaktojnë dëm të tjerëve.
- Administrimi nga ana e protektoratit duhet të marrë parasysh Kanunin (të quajtur i Lekë Dukagjinit), si dhe punën e Hasluck-ut dhe të Valentinit, për aq për sa nuk bien në kundërshtim me parimet e OKB-së dhe ato ndërkombëtare në fuqi.
- Qëllimi është miqësia midis serbëve, kosovarëve, protektoratit dhe fqinjve të tyre.
Prishtinë, shtator 2026