Eric P. Wendt nominohet për ambasador të SHBA-së në Shqipëri

Uashington, 13 prill 2026 – Eric Wendt, nga Kalifornia, është nominuar si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Emërimi i tij pritet të kalojë në procesin e konfirmimit në Senat. Nëse konfirmohet nga Senati, Eric Wendt do të jetë pasardhësi i ambasadores Yuri Kim, e cila e kishte përfunduar misionin e saj në Shqipëri në vitin 2023.

Dy vite më parë, diplomatit David J. Kostelancik nuk u emërua ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, pasi kandidatura e tij nuk u miratua nga disa senatorë republikanë.

Emërimi i ambasadorëve mund të bllokohet edhe nga një senator i vetëm.

Kush është Eric P. Wendt?

Eric P. Wendt është një gjeneral-lejtnant i ushtrisë amerikane në pension, i cili e ka përfunduar karrierën e tij ushtarake në mars të vitit 2021, pas shërbimit mbi 34 vjeçar.

Para përfundimit të shërbimit, ai e ka ushtruar detyrën e komandantit të pestë të Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO, të cilën e ka përfunduar në janar 2021.

Më herët, Wendt ka shërbyer si Koordinator i Sigurisë i SHBA-së për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez (2017–2019) dhe ka mbajtur pozita të rëndësishme në strukturat ushtarake amerikane, përfshirë Komandën e Paqësorit dhe drejtimin e institucioneve të specializuara të luftës speciale.

Karrierë në operacione ndërkombëtare

Gjatë karrierës së tij, Wendt ka qenë i angazhuar në disa nga misionet më të rëndësishme ushtarake të SHBA-së, përfshirë operacionet në Irak, në Afganistan, në Filipine dhe në rajonin e Azisë-Paqësorit.

Ai ka qenë për dekada pjesë e Forcave Speciale amerikane (“Green Beret”) dhe ka komanduar në të gjitha nivelet, nga njësitë operacionale deri në komandat strategjike.

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Wendt ka marrë pjesë në një sërë operacionesh kundër terrorizmit dhe në misione stabilizimi në zona të ndryshme të botës.

Formimi dhe vlerësimet

Wendt është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara në fushën “Law and Society” dhe i ka përfunduar studimet master për Sigurinë Kombëtare në Shkollën Pasuniversitare Detare në Monterey. Ai flet edhe arabisht dhe koreançe.

Për meritat e tij, ai është nderuar me një sërë dekoratash të rëndësishme ndërkombëtare për shërbimin e tij ushtarak, përfshirë medalje nga Gjermania, Koreja e Jugut dhe Filipinet.

Nominim i mëparshëm

Kjo nuk është hera e parë që Wendt propozohet nga Donald Trump për një post diplomatik. Në vitin 2020, ai ishte nominuar për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Katar, por procesi i emërimit të tij nuk u finalizua përpara përfundimit të mandatit të Kongresit.

(r.m.)