Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa njihen me akuzat kundër tyre

Tiranë, 23 korrik 2025 – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, janë njoftuar sot zyrtarisht me aktakuzat e ngritura kundër tyre nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Kryebashkiakut të Tiranës i është dorëzuar aktakuza në ambientet e Burgut të Durrësit, ku gjendet në paraburgim prej 10 shkurtit të këtij viti. Mediet në Tiranë raportojnë se ai e ka pranuar aktakuzën nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, në praninë e njërit prej avokatëve të tij, dhe aktin e pranimit e ka nënshkruar pa ndonjë kundërshtim.

Ndërkaq, bashkëshortes së tij i është dorëzuar aktakuza në ambientet e SPAK-ut, ku ka shkuar në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, të vendosur nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Veliaj dhe Xoxha akuzohen nga SPAK-u për një skemë skemë komplekse korrupsioni e pastrimi parash, SPAK ka bërë të ditur se ata, përmes kompanive të kontrolluara në mënyrë direkte apo të tërhortë nga Ajola Xoxa, kanë përfituar rreth 1 milionë euro në formë ryshfeti nga biznesmenë të cilët merrnin leje ndërtimit.

Veliaj akuzohet për veprat penale: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (8 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Përveç këtyre, ai akuzohet edhe për futje të sendeve të paligjshme në burg.

Ndërkaq, Xoxa akuzohet për veprat penale: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

SPAK njoftoi se i ka përfunduar hetimet edhe për 6 biznesmenët e përfshirë në dosjen e Erion Veliajt.

Më parë, Erion Veliaj i ka mohuar të gjitha akuzat, duke e cilësuar procesin ndaj tij si “proces kafkian”.

 (r.m.)