Erion Veliaj u intervistua për shtatë orë në SPAK lidhur me inceneratorin e Tiranës

Tiranë, 30 prill 2024 – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u intervistua sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për inceneratorin e Tiranës.

Veliaj ishte ftuar në prokurori në orën 10.00, por ai u paraqit aty gati 60 minuta më herët, prandaj u detyrua të presë orarin e caktuar në hyrjes së godinës, përpara se futej në zyrat e hetuesve të çështjes.

Pak para orës 17.00, pas gati 7 orësh, Veliaj doli nga prokuroria i qeshur, për të relativizuar kohën tejet të gjatë të qëndrimit para hetuesve. Ai tha se aty ishte si “bashkëpunëtor” me prokurorët e hetuesit, të cilët i quajti “kolegë”. Veliaj u përpoq të linte të kuptohej se në Prokurorinë e Posaçme kishte shkuar me kërkesë të tij, ndonëse atij i është dërguar fletë-thirrje që të paraqitet për të dhënë shpjegime rreth çështjes së inceneratorit të Tiranës.

Por, kryebashkiaku i Tiranës nuk tregoi se për çfarë është pyetur nga hetujesit e prokurorët.

 “Patëm një shterrim total të cështjes së inceneratorëve, me të gjitha shpjegimet e nevojshme, për mënyrën se ku dallon projekti i IFC-së i cili u rrëzua dhe ishte nisur nga ish Bashkia me 37 euro/ton dhe se si ky proces ishte tërësisht krejt gjë tjetër, e pakërkuar, nga investitorë që nuk kishin asnjë lidhje me Bashkinë e Tiranës dhe s’kishin lidhje me IFC-në, dhe besoj se u sqaruam”, u shpreh ai.

Veliaj tha se në prokurori ka dorëzuar “prova të tjera” nga bashkia, por nuk tregoi se çfarë janë ato.

“Bashkia e Tiranës ka sjellë edhe disa prova të tjera, për të cilat m’u kërkua të mos i ndaj me gazetarët”, u shpreh ai.

Erion Veliaj është në qendër të sulmeve të opozitës prej një kohe të gjatë. Ai konsiderohet si personin kyç për rastin e inceneratorit të Tiranës. Një akuzë të ngjashme e ka bërë edhe ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili është arratisur pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme që të arrestohet, po për  çështjen e inceneratorëve.

Në gusht të vitit të kaluar, Prokuroria e posaçme vuri nën sekuestro impiantin e trajtimit të mbetjeve në Tiranë. Kontrata për ndërtimin e tij, me kosto të investimit të parashikuar prej 128 milionë eurosh (pa TVSH) u firmos nga kompania “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k dhe nga Ministria e Mjedisit, në vitin 2017. Por, as pas 7 vjetësh, ky impianti i djegies së mbeturinave nuk ekziston, ndërsa mbetjet trajtohen në një landfill të zakonshëm.

Sipas Prokurorisë e Posaçme, pronarë “de facto” të impiantit të Tiranës janë dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët janë edhe pronarë të inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit.

Në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës, në muajin dhjetor, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme firmosi urdhra arresti për 15 persona. Mes të arrestuarve ishte dhe Taulant Tusha, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, i cili konsiderohet si njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt të kryebashkiakut Erion Veliaj. Në arrest kanë përfunduar edhe një tjetër ish drejtor i Bashkisë së Tiranës, ish ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish deputeti socialist ,Alqi Bllako, si edhe dy sipërmarrësit, Mërtiri e Zoto.

Zoti Veliaj ka hedhur poshtë vazhdimisht dyshimet për përfshirjen e tij në rastin e inceneratorit të Tiranës. 

Redi Molla e Maringlen Qato, të dy ish drejtues në Bashkinë e Tiranës, u arrestuan në muajin mars nën dyshimet për “korrupsion pasiv” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”, kurse për Taulant Tushen u lëshua edhe një tjetër urdhër arresti, për “shkelje të barazisë në tendera”.

Dyshohet se ish drejtorët Molla dhe Qato janë pronarët realë të kompanisë 5D, e cila, sipas hetimeve të deritashme, ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme  tendera nga agjensitë që janë në varësi të Bashkisë së Tiranës.

(r.m.)