Ermonela Jaho në skenën e TKOB: “Këtu filloi ëndrra ime…”

Tiranë, 15 shtator 2021 – Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho ka interpretuar në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në Tiranë,  të rikonstruktuar.

Nga skena ku nisi ëndrra e saj, ajo kujtoi fillimet dhe dha një mesazh për këdo që i vë vetes qëllime.

Me pas Ermonela Jaho e ftoi në skenë legjendarin Placido Domingo, i cili i mori duartrokitjet e publikut shqiptar.

“Edhe pse e vogël, por me një pasion dhe dashuri të jashtëzakonshme, këtu filloi ëndrra ime për t’u bërë këngëtare operistike. Ashtu si ato breza që na kanë frymëzuar neve, na kanë dhënë këtë shpresë, këtë forcë, uroj që ky teatër dinjitoz të japë të njëjtën shpresë, të njëjtin frymëzim, edhe brezave të rinj. Thuhet që ëndrrat janë të vështira për t’u arritur, por unë e arrita ëndrrën time, dhe ëndrra ime fillon pikërisht këtu.

Sa herë me pedagogët tanë, këngëtarët e bashkëkombasit e mi, që kanë dalë nga kjo skenë, kemi folur dhe kemi ëndërruar për idhujt tanë.

Ishte diçka e jashtëzakonshme të kishim qoftë edhe një regjistrim të tyrin, dhe pikërisht njëri nga ata idhujt tanë, që nuk ka nevojë për prezantim, këndon në këtë skenë dinjitoze. Me pak fjalë, ftoj në skenë legjendarin Placido Domingo”, tha sopranoja, duke ia lënë skenën spanjollit legjendar që dhuroi emocione të forta me interpretimin e tij.

(Panorama.al)