Escobar e quan Presidenten Osmani “garantues kryesor” të marrëdhënieve SHBA-Kosovë

Prishtinë, 13 mars 2024 – I dërguari i Shteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e quajti Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, “garantues kryesor” të marrëdhënieve bilaterale mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

“Faleminderit zonja Presidente për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë! Ju jeni garantuesi kryesor dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës dhe dua të them se kjo trashëgimi është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës”, u shpreh Escobar pas takimit me presidenten Osmani.

Ndërsa Presidentja Osmani tha se bashkëpunimi me SHBA-në duhet të jetë bosht i veprimeve të institucioneve të Kosovës.

“SHBA-ja ka qëndruar përkrah Kosovës në çdo sfidë. Bashkëpunimi me aleatët, veçanërisht me SHBA-në, duhet të jetë bosht i veprimeve tona”, tha ajo.

“Fuqizimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe integrimi në aleancat euro-atlantike nuk mund të bëhen pa ndihmën e aleatëve dhe, sërish, me theks të veçantë te SHBA-ja” theksoi Presidentja Osmani.

Një ditë më parë, Escobar pranoi se SHBA-ja, por edhe shumë partnerë të saj, kanë probleme në komunikim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin e Kosovës, dhe jo vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Escobar të martën në Bruksel.

(r.m.)