Escobar: Kosova të mbajë zgjedhje të reja në veri, serbët të marrin pjesë pa kushte

Beograd, 7 qershor 2023 – I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i bëri thirrje sërish Kosovës të tërheqë njësitë e posaçme të policisë dhe kryetarët e komunave nga zyrat e tyre në veriun e banuar me shumice serbe, ndërsa Beogradit i bëri thirrje të ushtrojë ndikimin për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja në zonë, pa kushte.

“Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat komunale, policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth tyre dhe protestuesit duhet të largohen. Për më tepër, nëse ka zgjedhje të reja dhe ne shpresojmë që do të ketë, duam që serbët të marrin pjesë në to pa kushte. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se do ta përdor ndikimin e tij për t’i bindur serbët të marrin pjesë në zgjedhje”, tha ai.

Escobar i bëri këto komente në një takim me gazetarë në Beograd, në fund të vizitës që bëri bashkë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në kuadër të përpjekjeve për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Të dy diplomatët shkuan në Beograd pas vizitës në Prishtinë, në të cilën nuk qenë në gjendje të njoftonin ndonjë përparim për uljen e tensioneve në veri.

Në një takim me gazetarët të martën në Prishtinë, zoti Escobar kritikoi ashpër qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, me të cilën, siç u shpreh ai “Shtetet e Bashkuara kanë disa sfida”.

Ai tha të mërkurën se shpreson që qeveria e Kosovës ta kuptoj se qëllimi është një rezultat i qëndrueshëm dhe me përfitime për të dyja palët.

“Më duhet të theksoj se nuk bëhet fjalë vetëm për Bashkimin Evropian, por edhe Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si miq të Kosovës ne po i nxisim ata për bashkëpunim, bashkërendim dhe rreshtim me përpjekjet tona për qëndrueshmëri në rajon. Ky partneritet është i hapur për Kosovën kurdo që e dëshiron, por në të njëjtën kohë nëse nuk e duan, do të thotë se po ndërmarrin veprime të njëanshme dhe po tërhiqen nga komuniteti transatlantik”.

Zoti Escobar mohoi të ketë caktuar ndonjë afat lidhur me kërkesat për uljen e tensioneve në veri, por sërish tha se të premten ai dhe zoti Lajçak do t’u raportojnë shefave të tyre për vizitën në të dyja vendet.

I dërguari amerikan tha se palët duhet të punojnë për zbatimin e marrëveshjes së arritur ne Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Thjeshtë po them një fakt, Asociacioni është një detyrim ligjor për qeverinë e Kosovës, është në marrëveshjen e Brukselit, është në përfundimet e Këshillit të Evropës, është në marrëveshjen e Ohrit. Prandaj nuk është një marrëveshje ndërmjet Kurtit dhe Serbisë, është një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu që nëse në një pikë Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin evropian, do të duhet ta themelojë Asociacionin. Pra do të ndodhë por çështja është se a do të ndodhë me këtë qeveri apo me një të ardhshme”, tha zoti Escobar.

I pyetur për ndikimin e mundshëm rus në zhvillimet aktuale në veri të Kosovës, zoti Escobar tha se Rusia përfiton nga përçarjet brenda Evropës dhe nuk është e interesuar të shohë zgjerimin e Bashkimit Evropian.

“Ajo që po ndodh në Kosovë tani është një problem i kahershëm, i pazgjidhur mes grupeve të ndryshme. Kjo ishte para krizës aktuale në Ukrainë. Kriza në Ukrainë e bën më të rëndësishme mundësinë për ta zgjidhur atë. Por nuk po nxitet tërësisht nga Rusia”, tha zoti Escobar.

Tensionet në veri u shtuan pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të dërguar në zyrat e komunave atje kryetarët shqiptarë që u zgjodhën në zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga votuesit serbë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara angazhohen për zgjidhjen me negociata të mosmarrëveshjeve midis Kosovës e Serbisë, Ato kanë propozuar disa masa për uljen e tensioneve dhe krijimin e klimës për vazhdimin e negociatave dhe për zbatimin ee marrëveshjes për të cilën janë pajtuar të dy palët, ndonëse ajo nuk është nënshkruar.  

(r. m.)