Escobar në Beograd: Pres që dialogu të vazhdojë në mënyrë dinamike dhe konstruktive

Beograd, 20 tetor 2022 – I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, të vazhdojë “në mënyrë dinamike dhe konstruktive”.

“Kjo është e rëndësishme si për qytetarët, ashtu edhe për paqen, stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm në rajon”, tha Escobar.

Ai i bëri komentet në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenca e Serbisë tha se Vuçiq e ka cilësuar “të rëndësishme” bisedën me diplomatin e lartë amerikan.

Ndërkaq, në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq ka shkruar se në takimin me Escibarin është biseduar “për të gjitha zhvillimet aktuale” dhe “për çështjet e hapura” në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ai ka thënë se ka këmbëngulur në “zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, dhe për respektimin e të drejtës ndërkombëtare.

“Serbia, si vend serioz, i besueshëm dhe i përgjegjshëm, vazhdon të luftojë për ruajtjen e popullit dhe vendit të saj, duke bërë përpjekje maksimale për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe për përparimin e gjithë rajonit”, ka shkruar Vuçiq.

Escobar e takoi edhe drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili tha se Serbia është e gatshme për vazhdimin e negociatave me Kosovën, por insiston edhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash, para së gjithash të marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në njoftimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë thuhet se në takimin e Eskobarit dhe Petkoviqit është diskutuar edhe për çështjen e targave të ajtomjeteve dhe për atë të energjisë. Petkoviq citohet të ketë thënë se pala serbe i ka kryer të gjithë hapat nga Udhërrëfyesi për Energjinë dhe zotimet nga marrëveshjet tjera me Kosovën.

Gabriel Escobar shkoi në Beograd një ditë pas vizitës në Prishtinë, ku u takua me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me kryeministrin Albin Kurti dhe me përfaqësues të opozitës.

Pas takimeve, Osmani dhe Kurti thanë se Kosova është palë konstruktive në dialog dhe se ajo është e gatshme për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, me në qendër njohjen reciproke.

Në një intervistë për televizion Kanal 10, z. Escobar tha se arritja e një marrëveshjeje për rrugën përpara mes Kosovës dhe Serbisë është çështje javësh.

(r.m.)