Escobar në Mal të Zi, shpreh shqetësimin për miratimin e Ligjit për Presidentin

Podgoricë, 15 dhjetor 2022 – I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shprehu sot shqetësim për “Ligjin për Presidentin” të miratuar kohët e fundit nga parlamenti i Malit të Zi.

I dërguari amerikan ndodhet në Podgoricë, në kuadër të një turneu në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas një njoftimi të Ambasadës Amerikane në Malin e Zi, gjatë takimit me Presidentin Milo Gjukanoviq, të dy zyrtarët “ndanë shqetësimet e tyre në lidhje me miratimin e Ligjit për Presidentin”.

Ata diskutuan gjithashtu për nevojën e zhbllokimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk është funksionale, pasi parlamenti nuk po arrin të miratojë 4 anëtarë të saj.

Takimi Escobar- Gjukanoviç

Para takimit me presidentin Gjukanoviq, i dërguari amerikan zhvilloi një takim me kryeministrin në largim, Dritan Abazoviq.

“Mali i Zi duhet të zgjidhë ngërçin politik, të mbetet i përkushtuar në rrugën euroatlantike dhe të kundërshtojë qartë agresionin brutal të Rusisë në Ukrainë”, u shpreh zoti Escobar pas takimit, përmes një postimi në Twitter.

Po sot në Podgoricë qëndruan edhe të dërguarit special të qeverive të Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Stuart Pich dhe Manuel Sarazin.

(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)