Escobar: Nuk shoh gatishmëri të Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes

Uashington, 18 korrik 2023 – I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se SHBA dhe BE janë për përkushtuara për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimin të marrëvëdhineve midis Kosovës e Serbisë, të arritur të Bruksel dhe në Ohër.

Ai ka thënë se me gjithë angazhimin e SHBA-së dhe BE-së, palët nuk kanë bërë asnjë lëvizje përpara. Përkundrazi. Pas pajtimit me marrëveshjen ka pasur ngritje të tensioneve midis palëve.

“Ne kemi tentuar vazhdimisht t’i shtyjmë të dyja palët që të veprojnë, por në vend të kësaj kthim kemi parë veprime që çuan në përshkallëzimin e situatës”, ka thënë Escobar para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, ku është diskutuar për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe për qasjen e Shteteve të Bashkuara ndaj problemeve në këtë rajon.

Escobar ka shpjeguar edhe çfarë përmban Marrëveshja e Brukselit me të cilën palët janë pajtuar deklarativisht, por nuk e kanë nënshkruar, sepse këtë nuk ka pranuar ta bëjë pala serbe, duke qenë se refuzon ta pranojë Kosovën si shtet.

“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Escobar.

Escobar ka folur edhe për tensionet në pjesën veriore të Kosovës dhe për përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së për uljen e tensioneve dhe për impelementimin e marrëveshjes.

“Ne dhe Bashkimi Evropian kemi bërë thirrje për shtensionim të menjëhershëm dhe rifokusim në implementimin e detyrave të marra nga marrëveshja”, ka thënë ai.

Escobar ka njoftuar edhe për planin trepikësh për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës dhe për vazhdimin e dialogut mes palëve. Sipas tj, Serbia është pajtuar t’i tërheqë protestuesit para ndërtesave të tri komunave veriore, ndërsa Kosova nuk ka bërë ende hapat që i kërkohen.

“Nga Serbia kemi marrë konfirmimin se do t’i tërheqë protestuesit para ndërtesave të komunave në veri dhe se serbët do të marrin pjesë në zgjedhje. Nga Kosova nuk kemi marrë angazhim të plotë, por pajtohemi me Kosovën për shumë standarde demokratike që duan t’i aplikojnë. Gjithashtu pajtohemi me Kosovën që ata që i kanë sulmuar gazetarët dhe KFOR-in duhet të ndëshkohen, por ne ende presim të shohim përafrim në planin lehtësues të BE-së. Ne do të punojmë me Qeverinë e Kosovës që t’i bindim që është në interesin e tyre të punojnë me SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, NATO-n, BE-në, QUINT-in, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, e cila është po ashtu pjesë e procesit”, ka thënë ai.

I pyetur se çfarë po bën SHBA-ja që t’i bindë pesë shtetet e BE-së (Spanjën, Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron) që ta njohin shtetësinë e Kosovës, Escobar ka thënë se implementimi i marrëveshjes midis Kosovës e Serbisë do të krijonte rrethana për njohje. Në këtë kontekst, ai e ka veçuar pikën e marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Marrëveshja e Ohrit na e ofron neve mundësinë më të mirë në 15 vjetët e fundit që të bashkëpunojmë me Qeverinë e Kosovës për të nisur një fushatë të njohjeve, jo vetëm evropiane por globale. Shumica e shteteve do të dëshironin ta shihnin gatishmërinë e Kosovës që ta përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes që ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kjo është njëra prej arsyeve pse e kam inkurajuar Qeverinë e Kosovës që këtë gjë ta çojë përpara, me mbështetjen amerikane që të gjendet zgjidhje që Asociacioni të mos e cenojë rendin juridik e kushtetues. Deri më tani nuk e kam marrë atë zotim nga Qeveria e Kosovës”, është shprehur ai.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor ka folur edhe për situatën dhe zhvillimet edhe në vendet tjera të rajonit. Ai ka thënë se këto vende përballen me sfida serioze, si: përparimi i ngadalshëm në demokratizim, korrupsioni, varësia nga burimet ruse të energjisë, politikat etno-nacionaliste.

Ai ka thënë se integrimet evropiane dhe transatlantike janë thelbësore për ta zvogëluar ndikimin e aktorëve të dëmshëm në këtë rajon, siç janë Rusia dhe Kina, por edhe të aktorëve lokalë të korruptuar që synojnë ta destabilizojnë rajonin dhe t’i pengojnë integrimet, duke e zgjeruar ndikimin e tyre.

Escobar ka thënë se Rusia e shtrin ndikimin e saj në rajon përmes dezinformatave dhe energjisë.

“Rusia nuk ofron asgjë më shumë. As tregti bilaterale, as ndihmë, as kapacitete për ndërtim, as mbështetje për reforma demokratike. Thjesht, e fut rajonin në kurth përmes varësisë energjetike. Prandaj, sa më shpejt që mund t’i ndihmojmë rajonit për zvogëlim të varësisë, përmes gazit të lëngshëm natyror apo përmes energjisë së ripërtrishme, aq më shpejt do të mund ta luftojmë ndikimin rus në rajon”, ka thënë ai.

Një pjesë të mirë të fjalës para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve Escobar ia ka kushtuar situatës në në Bosnjë e Hercegovinë. Ai ka thënë se presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, vazhdon veprimet që kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës e Hercegovinës.

“Veprimet e vazhdueshme anti-demokratike të Dodikut kërcënojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e shtetit dhe gjithë rajonit”, ka thënë Escobar.

Ai ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë t’i vëzhgojë këto veprime dhe të kërkojë llogari nga të gjithë ata që e shkelin Marrëveshjen e Dejtonit apo që e kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës e Hercegovinës.

(r.m.)