Escobar: Qeveria e Kosovës duhet të ketë qasje më pragmatike në dialog

Nju Jork, 21 shtato 2023 – I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka thënë se dialogu është e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Ai ka thënë se ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës të ketë një qasje të re në dialog.

“Ka ardhur koha për një përqasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm ‘po apo jo’. Dhe e kam fjalën konkretisht për qeverinë e Kosovës. Ata kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë. Dhe mendoj se deklarata e Borrellit ishte shumë e qartë. Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu vazhdojmë t’i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës. Do të duhet të vazhdojmë të punojmë për dialogun. Nuk ka alternativë”, ka thënë Escobar në një intervistë qër Zërin e Amerikës.

Escobar i ka cilësuar si alarmuese sulmet personale ndaj të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai ka thënë se Lajçak e ka besimin e plotë të BE-së dhe SHBA-së dhe do të mbetet në këtë detyrë. 

“Lajçaku e gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së e bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të ndalojë dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin trans-atlantik prej 700 milionësh të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës. Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga qeveria e Kosovës, por qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme”, është shprehur ai.

(r.m.)