Escobar: Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për sigurinë e serbëve

Prishtinë, 14 mars 2024 – I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka qëndruar sot në Pejë, ku është takuar me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri.

Escobar ka thënë se ka shkuar në këtë qytetet që të mësojë se si ka ndikuar te pjesëtarët e komunitetit serb nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që e ndalon përdorimin e dinarit serb në transaksionet me para të tashme.

“Këtu ka një komunitet që po vuan vërtet. Ka njerëz që përballen me probleme reale për shkak të mungesës së mundësive për të marrë pensionet. Kështu që unë me të vërtetë dua të punoj me qeverinë e Kosovës me shpresën për të gjetur një zgjidhje urgjente”, ka thënë Escobar në një deklaratë për Radio Gorazhdevac.

Escobar ka thënë se serbët, sikurse të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, duhet ta ndjejnë mbështetjen e SHBA-së.

“Për komunitetin këtu, unë dua që këta të ndiejnë dhe të dinë se qeveria amerikane do që serbët të jetojnë në Kosovë në kushte të sigurisë dhe dinjitetit dhe se ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Dhe, sa i përket Qeverisë së Kosovës, ata e kanë përgjegjësinë që kjo të ndodhë dhe ne do ta mbajmë përgjegjëse për këtë”, është shprehur emisari amerikan.

Escobar ka thënë se SHBA do të vazhdojë të punojë me palët për zbatimin e marrqëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ,es Kosovës e Serbisë, të cilën ai e ka quajtur “historike”.

“Në një afat më të gjatë, ne duhet të punojmë ende shumë për të zbatuar marrëveshjen historike për normalizim që e arritëm marsin e kaluar”, ka thënë ai.

Gabriel Escobar e ka vizituar të enjten paradite edhe Manastirin e Deçanit. Kjo vizitë u realizua vetëm një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se Agjencisë Kadastrale të Kosovës i ka kërkuar ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë ndaj pronave rreth këtij manastiri.

Escobar e ka cilësuar si “të vështirë, por të do mosdoshëm” vendimin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

(r.m.)