European Greens kundërshton ndërtimin e resortit të Kushnerit në Zvërnec

Tiranë, 2 qershor 2026 – European Greens, grupimi i partive ambjentaliste në Europë ka ndarë së fundmi një postim në rrjetin X (ish-Twitter), në mbështetje të protestave për Zvërnecin që janë zhvilluar së fundmi në Shqipëri.

Ato e quajtën projektin që po ndërtohet në Pishë Poro-Nartë si një “shkatërrim i zonave natyrore”.

“Miliarderët po planifikojnë të shkatërrojnë një prej zonave natyrore më të rëndësishme në Europë, për të ndërtuar një resort luksoz, me mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama”, shkruajnë European Greens në postimin e tyre në rrjetin X.

European Greens janë një grupim partish politike mjedisore europiane, që advokojnë për përgjegjësi mjedisore, drejtësi sociale, veprim klimatik, dhe demokraci.

Pas një proteste që banorët e Zvërnecit zhvilluan në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartë më 30 Maj 2026, ata u përballën me dhunë nga persona të paautorizuar që hiqeshin si roje private të kompanisë që po zhvillonte punimet, teksa policia nuk mori masat e duhura për mbrojtjen e qytetarëve.

Kjo ngjarje u pasua nga dy protesta masive në Tiranë, ku mijëra qytetarë kërkuan anulimin e projektit në Pishë Poro-Nartë dhe dorëheqjen e kryeministrit Rama i cili po aprovon investime strategjike në dëm të mjedisit natyror dhe zonave të mbrojtura.

European Greens në postimin e tyre përmendin faktin se protestuesit që po luftojnë për zonat e mbrojtura janë hasur me dhunë, tela me gjemba dhe kërcënime.

“Megjithatë, ato vijojnë të thonë ‘Duart Larg nga Vjosë-Narta’”, shkruan deklarata e European Greens mbi qëndresën e protestuesve dhe aktivistëve mjedisorë në Shqipëri.

(Reporter)

Comment

*