Fabian Kamberi, një sipërmarrës i ri me origjinë shqiptare që jeton në Berlin, në Gjermani, është përfshirë në listën e çmimeve prestigjioze “Forbes 30 Under 30 Europe 2025” në kategorinë “Sports & Games”, ku është renditur mes emrave më të spikatur të kontinentit për inovacion dhe ndikim në industrinë dixhitale.
Kamberi është bashkëthemelues i SLAY, një kompani gjermane që po e revolucionarizon mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë në aplikacione sociale dhe lojëra, duke përdorur teknologji të avancuara si inteligjenca artificiale.
Një nga sukseset më të mëdha të kompanisë SLAY është loja sociale Pengu, ku përdoruesit kujdesen për pinguinë virtualë në një univers të ngjashëm me metaversin.
Loja ka tërhequr mbi 10 milionë përdorues dhe ka siguruar 20 milionë dollarë investime, duke u mbështetur nga emra të njohur si: Accel, Scooter Braun dhe Harry Stebbings.
SLAY ka lançuar gjithashtu edhe aplikacionin frfr (for real for real), një platformë sociale e fuqizuar nga AI që u mundëson përdoruesve të dërgojnë mesazhe zanore anonime me zëra të personazheve të famshëm – një risi në mënyrën e komunikimit në epokën dixhitale.
Fabian Kamberi, vetëm 25 vjeç, e përfaqëson gjeneratën e re të inovatorëve shqiptarë në diasporë. Suksesi I tij dëshmon se me përkushtim, vizion dhe guxim, suksesi ndërkombëtar është më shumë se i mundur.
(Telegrafi)