Komuniteti Republikan Shqiptar në Michigan vlerëson mbështetjen që po i bën Presidenti Donald Trump Kosovës duke nënvizuar pa asnjë mëdyshje integritetin territorial të saj.
Në fushatën e fundit zgjedhore presidenciale, vendosëm si kushte për mbështetjen tonë katër pika, një ndër të cilat ishte braktisja përfundimtare e propozimit për ndarjen territoriale të Kosovës.
Në takimin e Ambasadorit Richard Grenell, i dërguari i fushatës së Presidentit Tump në Michigan, me përfaqësues të komunitetit shqiptar, duke folur në emrin e organizatës sonë, zoti Gjevalin Gegaj paraqiti këto pika që t’i dërgoheshin për konsideratë kandidatit për President, Donald Trump, fushatës së tij zgjedhore, dhe ekipit të politikës së tij të jashtme. Frytet e kësaj kërkese janë të qarta sot.
Michigan është një nga shtetet e paktë vendimtarë në garën presidenciale. Në 2016, Presidenti Trump fitoi në Michigan me vetëm 10,000 vota më shumë se demokratja Hillary Clinton. Në atë kohë komuniteti ynë kishte 33,000 votues të regjistruar. E thënë ndryshe, ndonëse i vogël në numër komuniteti ynë kishte mundësinë të përmbyste peshoren politike në Michigan me pasoja për mbarë Amerikën.
Që atëhere numri i votuesve tanë është rritur shumë më tepër. Rëndësia jonë si komunitet është shumë më e madhe. Kjo është vlera e angazhimit në politikë e në lobim. Kjo është vlera e regjistrimit për të votuar.
Kur fitoi zgjedhjet përsëri në 2024, Presidenti Trump dhe fushata e tij dërguan falenderime të posaçme nëpërmjet përfaqësuesit të tij Ambasadorit Richard Grenell për rolin e shqiptaro-amerikanëve në fitoren e arritur në Michigan.
Sot, është radha jonë që ta falenderojmë atë. Në urimet zyrtare për ditën e pavarësisë së Kosovës dhe takimet me Presidenten Vjosa Osmani, Presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio kanë nënvizuar mbështetjen e integritetit territorial të Kosovës duke i dhënë fund zyrtarisht çdo ëndrre për copëtim të shtetit tonë të ri.
Ky është fundi i ëndrës së atyre që donin të bënin pazar me trojet shqiptare në shekullin 21.
Faleminderit zoti President për premtimin e mbajtur!
Komuniteti Republikan Shqiptar në Michigan falenderon gjithashtu shqiptarët në Michigan që u angazhuan në lobim, u regjistruan në zgjedhje, votuan dhe na dhanë forcë të mbështesim parimet tona!
Faleminderit të gjithë atyre në SHBA dhe në atdhe që punojnë për kombin shqiptar dhe për miqësinë e pathyeshme shqiptaro-amerikane!
Komuniteti Republikan Shqiptar në Michigan


