
Më 14 qershor 1999, dy ditë pas hyrjes së NATO-s në Kosovë, e lash Strugën dhe u nisa për në Prishtinë, për të vazhduar rrugëtimin tim jetësor, bashkë me familjen, të afërmit e të dashurit, bashkë me të gjithë shqiptarët e dëbuar nga shtëpitë e tyre nga makineria ushtarake e policore dhe hordhitë paramiltare serbe.
Gjatë rrugës, në kujtesë më përftonin sekuenca të barbarive të regjimit kriminal të Millosheviqit, gjaksorit më të madh të shekullit 20, pamje ngjethëse të rrahjeve, keqtrajtimeve, poshtërimeve dhe vrasjeve së njerëzve të pafuqishëm – fëmijëve, grave, pleqve e të sëmurëve -, të grabitjeve, plaçkitjeve, shkatërrimeve dhe djegieve të shtëpive dhe pronave të shqiptarëve, të krijuara ndër vite, me shumë mund e sakrifica për jetë të dinjitetshme në tokën e të pareve, në Kosovë.
Në kujtesë, sikurse në një shirit celuloidi të vjetë, bardh e zi, më shfaqeshin portretet e të afërmve, miqve dhe të njohurve që kanë vuajtur burgjeve dhe të atyre që janë vrarë vetëm sepse e kanë dashur lirinë, po ashtu të shumë pleqve dhe plakave që kanë vdekur në shtrat “me sy çelë”, me ëndrrën për lirinë e Kosovës…
Prapa, në Strugën piktoreske, e lashë statusin e refugjatit – të përndjekurit, të pastrehit e të thyerit, të zhveshurit nga çfarëdo përkatësie identitare – krejt cullak.
Me vete kisha kartën e gjelbërt të refugjatit dhe ëndrrën për të ringjitur fillin e jetës aty ku më ishte këputur nga milicia serbe, në shtëpinë time apo në rrënojat e saj, me besim të plotë për të ardhmen …
***
Sot, 26 vjet prej asaj dite, e kam në dorë librin “Me zemër për Kosovën 1999” të autorëve Agni Dauti e Xhemi Hajredini, një monografi gjithëpërfshirëse për mbështetjen vëllazërore të struganëve – në Strugë e rrethinë dhe në diasporë – për shqiptarët e Kosovës në ditët e tyre më të vështira të historisë së përpjekjeve për liri e pavarësi.
Ky libër është një kolonë e fortë e kujtesës së njërës prej periudhave më dramatike të historisë së popullit të Kosovës. Është një pasqyrim i lidhjeve të forta shpirtërore të shqiptarëve, kudo që ata jetojnë, si edhe e humanizmit dhe solidaritetit të tyre në ditë të vështira. Është edhe një dokumentim i kurajos dhe guximit qytetar të struganëve për të përballuar edhe pengesa të çfarëdo lloji për të mbështetur kauzat e drejta, si ajo e shqiptarëve për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Monografia “Me zemër për Kosovën 1999” sjell fakte dhe dokumente për organizimin e shqiptarëve të Strugës dhe të fshatrave përreth në mbështetje të shqiptarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre në Kosovë, me synim realizimin e projektit serbomadh për pastrimin e Kosovës nga elementi shqiptar. Ky organizim përfshinte pranimin, strehimin dhe mirëqenien e të dëbuarve – të cilët nuk trajtoheshin si refugjatë, por si mysafirë -, grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave ushqipore e të tjera, ofrimin e ndihmës mjekësore për të plagosurit e të sëmurët, shprehjen e solidaritetit me personat e traumatizuar nga krimet dhe masakrave monstruoze të ushtrisë, policisë dhe grupeve paramilitare serbe dhe krijimin e ambientit miqësor në mënyrë që kosovarët e të mos ndjeheshim refugjatë, por të ndjeheshin “në shtëpitë e tyre”.
Mografia, në pjesën qendrore të saj, e dokumenton organizimin dhe punën e Këshillit Qendror të Emergjencës në Strugë dhe të Këshillave Vendore të Emergjencës në 22 fshatra të Strugës. Në organizimin e këtyre këshillave ishin përfshirë strukturat lokale të pushtetit, subjektet politike, komuniteti fetar dhe organizatat humanitare e bamirëse. Në strukturat drejtuese të këshillave ishin zgjedhur autoritete dhe aktivistë me integritet të lartë njerëzor e kombëtar.
Siç argumentohet në monografi, këshillat e emergjencës, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal, merreshin me organizimin, transportimin, pritjen dhe strehimin e refugjatëve në Strugë apo në fshatrat përreth, me grumbullimin dhe shpërndarjen e ushqimeve, veshmbathjeve dhe artikujve elementarë për jetesë, me ofrimin e ndihmës shëndetësore për të lënduarit e të sëmurët, për ofrimin e ndihmës për vendosjen e lidhjeve me familjarë të shpërndarë gjithandej dhe për bashkimin e tyre, si edhe për mbështetjen e organizimeve dhe veprimtarive të ndryshme për refugjatët.
Gjatë punës në krijimin e kushteve për jetë të dinjitetshme të refugjatëve kosovarë, struganët u oërballën edhe me përpjekje të strukturave shtetërore e politike maqedonase që të kufizohej hapësira e shtrirjes së refugjatëve kosovarë në zonën e Strugës.
Organizimi dhe veprimtaria e Këshillit Qendror dhe e këshillave vendore të emergjencës pasqyrohet nga drejtues të këtyre këshillave dhe nga drejtues e aktivistë të organizatave humanitare, ndërsa dokumentohet me faksimile, fotografi dhe dokumente të ndryshme.
Monografia dokumenton edhe mbështetjen e madhe të kauzës së Kosovës nga struganët në mërgim. Shoqatat dhe klubet e struganëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kudo në diasporë kanë ndihmuar financiarisht pa kursim në fuqizimin e rezistencës politike e pastaj edhe të rezistencës së armatosur në Kosovë.
Monografia shoqërohet me Listën emërore të refugjatëve nga Kosova të strehuar në Strugë, si vëllim i veçantë. Në të janë përfshirë emrat e mbi 15 mijë refugjatëve të strehuar në qytet dhe në fshatrat përreth.
***
Monografia “Me zemër për Kosovën 1999”, përtej dimensionit dokumentar e historik të saj, për mua dhe për të gjithë refugjatët kosovarë që ishin strehuar në Strugë, e ka edhe dimension tjetër, krejtësisht njerëzor. Ajo e pasqyron zemërgjerësinë dhe bujarinë e struganëve, të cilët na pranuan në shtëpitë e tyre dhe na trajtuan tamam si vëllezër. Ata bashkëndjenë me kosovarët. E bashkëndjenë pasigurinë e refugjatit për të nesërmen dhe ëndrrën e kthimit në shtëpi, në Kosovën e lirë.
Ky dimension nuk mund të shprehet nga struganët. Ai duhet të shprehet nga refugjatët kosovarë që u pranuan dhe u trajtuan nga struganët si miq dhe si vëllezër.
Unë dhe familja ime do t’u jemi mirënjohës gjithë jetën të gjithë struganëve që na e bënë më të lehtë jetën si refugjatë dhe na e zvogëluan frikën nga e ardhmja e panjohur. Me ndjenjën e thellë të borxhliut për sa kanë bërë për mua e familjen time, e ndjej të pashmangshme të shpreh mirënjohje të veçanta për intelektualin dhe atdhetarin e devotshëm, Shefqet Pollozhani, profesorin Nexhat Mustafa e bashkëshorten e tij, mikpritësin bujar Xhemajl Dauti dhe familjen e tij, gazetarin e publicistin Mahmet Latifi, për bashkëshorten e tij, Hermetin, dhe për motrën e saj, Sherafeten, në shtëpinë e së cilës unë dhe familja ime jetuam në rehati deri në çlirimin e Kosovës.
Mirënjohje të thella të gjithë struganëve që në çfarëdo mënyre u ndihmuan regugjatëve kosovarë ta kalojnë atë periudhë të vështirë të jetës së tyre!
Falënderim nga zemra, struganë zemërgjerë e bujarë!
Prishtinë, 14 qershor 2025
