Faqet e ministrive dhe të bashkive përdoren për propagandë elektorale

Tiranë, 5 maj 2023 – Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi urdhëroi të premten heqjen e postimeve dhe përdorimin e hashtagëve me slogane politike nga faqet zyrtare në rrjetet sociale të ministrive, bashkive dhe çdo institucioni shtetëror dhe propozoi sanksione për personat përgjegjës.

“Udhërojmë të hiqen të gjitha postimet që përmbajnë slogane elektorale,” tha ai.

Urdhëri i Komisionerit mori shkas nga denoncimet e organizatës KRIIK që monitoron procesin zgjedhor, sipas së cilës ishin konstatuar postime të shoqëruara me hashtag-e me sloganë elektoralë të Partisë Socialiste, “ska kohë për pushim” dhe ‘Shqipëria e ardhmja jonë” dhe përdorimi i faqes zyrtare të bashkisë Kamëz për të reklamuar fushatën e kandidatit socialist për bashkinë.

Ndërkohë, KQZ po shqyrton denoncime të tjera me të njëjtin objekt, ku kjo organizatë ka konstatuar se faqet zyrtare të ministrive, ministrave dhe zyrtarëve të tjerë shtetërore po përdorin edhe sloganet e fushatës “ #VetëmPërpara #kurrëmëmbrapa” që identifikohen direkt me Partinë Socialiste.

“Këto slogane shoqërojnë thuajse çdo postim, pavarësisht se ato janë me natyrë institucionale, në faqet zyrtare në rrjetin social Facebook të Kryeministrit, Ministrave, Deputetëve, Kryetarëve të Bashkive, etj., të cilët kanë llogari aktive në rrjetet sociale,” thuhet në denoncim.

Sipas KRIIK, përdorimi i tyre nga institucionet publike dhe drejtuesit e tyre në faqet zyrtare në Facebook, përbën shpërdorim të autoritetit shtetëror si dhe përdorim të aseteve publike për qëllime elektorale.

Denoncimi i referohej postimeve në disa faqe zyrtare në Facebook, të tilla si Ministria e Turizmit dhe Mjedisit; Ministria e Financave dhe Ekonomisë; Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; Ministria e Brendshme, Ministria e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe në faqet e të gjithë ministrave të kabinetit qeveritar.

Administrata e KQZ-së konfirmoi se përdorimi i sloganeve të ndryshme politike që identifikoheshin me Partinë Socialiste ishte konstatuar nga verifikimi i rrjeteve sociale të këtyre institucioneve.

Në një urdhër të mëparshëm, Celibashi u kërkonte krerëve të institucioneve publike që të mos përdorin faqet zyrtare për shpërndarje politike, ndërsa i cilësoi  “personale” faqet e ministrave dhe titullarëve të tjerë.

Por KRIIK i kërkoi komisionerit që t’i trajtojë këto faqe si faqe zyrtare të ministrave me pretendimin se “nuk janë profile private, të mbyllura, por janë faqe ‘page’ publike si persona publikë për hir të funksionit shteteror që mbajnë”.

Në proces hetimi administrativ në KQZ është një tjetër denoncim i kësaj organizate për Agjencinë për Media dhe Informim (MIA), një institucion në varësi të Kryeministrisë, e cila i shoqërohen me slogane politikë të Partisë Socialiste postimet në faqen zyrtare në Facebook dhe se ka postuar gjithashtu  një aktivitet elektoral të kësaj partie, me praninë e Kryeministrit Rama.

(Reporteri.al)