Fatmir Mediu dërgohet në gjyq për tragjedinë e Gërdecit

Tiranë, 8 shkurt 2023 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka dërguar për gjykim ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij për përgjegjësinë në ngjarjen tragjike të vitit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.

SPAK njoftoi të mërkurën më 8 shkurt 2023 se është paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesa për dërgimin në gjyq të çështjes në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

“I pandehuri Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish ‘Brigatës së Tankeve’, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Prokuroria thotë se këto akte në lidhje me shitjen dhe çmontimin e një sasie municioni “kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.”.

Prokuroria e Posaçme sqaron se gjatë hetimeve të këtij procedimi penal janë kryer veprime të mëtejshme në lidhje me procedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida.

Për këto episode hetimet janë duke vijuar dhe për rrjedhojë është ndarë çështja penale, që është regjistruar për veprat penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin e Mediut.

Prokuroria e Posaçme kërkoi revokimin e vendimit të vitit 2009 të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, por kjo gjykatë ia pasoi Gjykatës së Posaçme çështjen, duke shpallur moskompetencën për shqyrtimin e kërkesës.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi rrëzimin e kërkesës së SPAK për rihapjen e çështjes dhe fajësoi prokurorinë për mosushtrim të ndjekjes penale për 8 vite ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, duke argumentuar se vepra penale është parashkruar. Ky vendim u rrëzua si i pabazuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 24 shtator 2021, që i hapi rrugë procedimit të Mediut.

(Reporter.al)