Fatmir Mediu kundërshton akuzat e SPAK lidhur me tragjedinë e Gërdecit

Tiranë, 10 mars 2026 – Deputeti Fatmir Mediu, i cili po gjykohet në Gjykatën e Posaçme për shpërdorim detyre gjatë kohës që mbante poston e ministrit të Mbrojtjes në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, kundërshtoi akuzat dhe provat e paraqitura nga SPAK gjatë seancës së të martës.

Fillimisht, avokati i Mediut, Henrik Ligori parashtroi një përmbledhje për aspektet juridike të çështjes. Sipas Ligorit, provat dokumentare që janë sjellë nga ana e SPAK për të provuar shpërdorimin e detyrës nga ana e Mediut, në bashkëpunim me të tjerë persona, nuk kanë asnjë rëndësi në provueshmërinë e asaj akuze. Ai tha se, nga provat dhe parashtrimet e SPAK, të krijohet përshtypja se Ministria e Mbrojtjes është vetëm ministri. Ligori vërejti se kjo ministri ka dy krerë, ministrin dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm.

Për më shumë se një orë e gjysmë, Mediu paraqiti pretendimet e tij kundër provave të SPAK, duke këmbëngulur se nuk qëndrojnë pretendimet e SPAK lidhur me përgjegjësinë e tij në këtë çështje. SPAK ka parashtruar më parë, se ministri Mediu ka qenë në dijeni për një vendimmarrje që lejoi demontimin e municioneve me kalibër të madh.

Mediu i cilësoi të pabazuara pretendimet e SPAK për ndikim të tij në komisionet e posaçme të kategorizimit të municioneve. “Nuk ka asnjë provë. Aludimi pa fakte e prova është i pavërtetë”, deklaroi ai dhe nënvizoi se gjithë pretendimet e SPAK nuk kanë lidhje me detyrat e ministrit të Mbrojtjes, pasi kanë të bëjnë me funksione ushtarake.  “Nuk ka lidhje të dijë ministri kalibrat e municioneve”, pohoi ai.

Nga ana tjetër, Mediu deklaroi se është e provuar se municionet që u demontuan ishin të panevojshme për forcat e armatosura pasi ishin të 40 apo 60 viteve përara, si dhe ishin të rrezikshme. Ai pohoi se dhe nga Nato kërkohej që të demontoheshin këto municione pasi ishin të rrezikshme.

Mediu deklaroi se prokuroria jo vetëm që nuk ka hetuar, por ka sjellë në gjykatë dosjen e vitit 2008. Ai konstatoi se edhe ekspertët e atij hetimi kanë vlerësuar se nuk është cënuar siguria e forcave të armatosura nga ana e procesit të dorëzimit të municioneve në zonën e demontimit.

Sipas tij, është e përcaktuar se gjithçka kryhet nga strukturat ushtarake dhe jo nga ministri, që nuk ka asnjë autoritet për të gjykuar mbi analizën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Ai solli në vëmendje faktin se jo pa arsye shefi i Shtabit të Përgjithshëm propozohet nga kryeministri dhe dekretohet nga Presidenti.

“Edhe nëse ministri nuk do ndante të njëjtin gjykim me shefin e shtabit, nuk mund të bënte diçka pasi nuk kishte kompetence ta largonte nga detyra”, tha ai, ndërsa shtoi se dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm merr sygjerime nga ekspertët për çështje të tilla.

Sipas Mediut, akuza e shpërdorimit të detyrës kërkon dashjen, ndërsa bashkëpunimi marrëveshjen mes personave që akuzohen. Ai theksoi se roli i ministrit nuk ka të bëjë me çështje teknike ushtarake. Po ashtu, konstatoi se ish-sekretari i tij që kishte përgatitur aktet që ka nënshkruar, është deklaruar i pafajshëm gjatë procesit të mëparshëm.

Sipas Mediut, në kushtet kur ata me të cilët akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në bashkëpunim, janë deklaruar të pafajshëm me vendim përfundimtar të gjykatës, nuk mund të qëndrojë akuza vetëm kundrejt tij.

Në vijim, solli në vëmendje të gjykatës shpërthime të ngjashme sipas tij, në fabrika të demontimeve të municioneve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Itali, duke vërejtur se nuk ishte hetuar asnjë funksionar i administratës civile.

Në përfundim, Mediu tha se ka ende kundërshtime për të përgatitur, pasi nuk është njohur me 8 fashikuj të dosjes së SPAK. Gjykata i ofroi mundësimin e njohjes me aktet pranë sekretarisë dhe shtyu seancën për më datë 7 prill, në orën 09:00.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh, me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit të marsit 2008 në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të viteve 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe, për rrjedhojë, nuk ekzistonte asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”. Çështja ndaj Mediut kaloi për gjykim më 6 prill të vitit 2023 dhe ndodhet aktualisht në fazën e paraqitjes së komenteve dhe qëndrimeve të tij ndaj provave të SPAK.

(Reporter)