Tiranë, 31 gusht 2023 – Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, i cili prej ditësh gjendet i shtruar në spital, është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kryeministri Edi Rama e dekoroi Nanon me Medaljen e Mirënjohjes Publike, për “kontributin posaçërisht të shquar në ndërtimin e shtetit kushtetues e demokratik në Shqipëri, frymën liberale në udhëheqje dhe tolerancën shembullore në momente tejet të vështira të jetës politike kombëtare, po edhe personale, rolin vendimtar në përpjekjen shoqërore për të ardhmen e vendit”.
Në një postim në Facebook, Rama ka shkruar se ai lutet për liderin historik të Partisë Socialiste, “në këto orë të vështira të luftës për jetën”.
Postimi i Ramës:
LUTEM PËR FATOS NANON
Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik, nga izolimi i tejskajshëm komunist drejt demokracisë si sprovë e tejmundimshme, në një tokë të djegur prej zjarrit e hekurit të perandorive e regjimeve që pasuan njëri-tjetrin qysh prej pavarësimit të Shqipërisë, ku nuk u rrit dot kurrë shtati institucional i shtetit e ku liria e ardhur me furinë e zemëratës popullore solli bashkë me dritën e së ardhmes edhe plagët e tmerrshme të shkatërrimit të shumëçkaje në emër të luftës për demokraci, meriton sot lutjet tona dhe mirënjohjen tonë për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme.
(r.m.)