FBI arreston për terrorizëm një shqiptar në Yonkers, New York

Kishte në plan të bënte masakër gjatë festës së Shën Patrikut

Një bashkëpunim mes departamenteve të policisë në New York dhe Yonkers me FBI-në ka sjellë arrestimin e një shqiptari që akuzohet se po planifikonte një sulm terrorist ditën e festës së Shën Patrikut.

Sipas aktpadisë, Ridon Kola ka shprehur disa herë në rrjetet sociale mbështetjen e tij për “ekstremizmin radikal islamik”.

Ai ka bërë disa herë në vitet e fundit kërcënime për sulme terroriste në Yonkers e më gjerë në New York.

Në 19 nëntor 2021, u ka shkrruar në rrjete sociale një zyrtari të YPD-së (Policisë së Yonkersit), në gjuhën shqipe “do të t’i vras vajzat e vogla”.

Në 5 dhjetor 2021, ai ka krcënuar përsëri policinë locale me mesazhin: “Duke filluar nga nesër do të filloj të vras oficerët tuaj. Sa për ta ditur se kush po e bën, Ridon Kola, gjak shqiptari”. Ai ka thënë se do të vriste edhe kryebashkiakun e Yonkersit.

Për këtë është marrë në pyetje disa herë nga policia, por ka mohuar dyshimet dhe është lënë në liri. Megjithatë është mbajtur në mbikqyrje.

Mesa duket kësaj here autoritetet kanë besuar se rreziku për sulm terrorist ka qenë real dhe kanë ndërhyrë për ta parandaluar atë.

Në fund, pak ditë më parë është fotografuar me një sopatë duke dhënë detaje sesi do të vriste policë dhe njerëz në festën e Shën Patrikut.

Mesazhet e 32-vjeçarit kanë ardhur duke u radikalizuar këtë muaj duke bërë që forcat e rendit të ndërhyjnë duke e arrestuar dhe hapur procesin e gjyqit për terrorizëm. (r.a.)