FESTA E PAVARËSISË NË KISHËN ZOJA PAJTORE NË MICHIGAN

Nga Valentin Lumaj

28 Nentor 2023

Të dielën me 26 Nëntor 2023, Kisha Zoja Pajtore në bashkëpunim me komunitetin shqiptar në Michigan festuan me madhështi Festën e Flamurit dhe të Pavarësisë. Darka solemne u organizua në sallën e Qendrës Kulturore “Nënë Tereza”. Dekorimi i sallës me flamuj dhe banderola të festës dhe pregatitjet ishin bërë me kohë nga anëtarët e këshillit të kësaj Kishe. Mbrëmja u hap në orën 8pm me një sekuencë filmike që përmblidhte tre momente kyçe të historisë së Flamurit shqiptar dhe të Pavarësisë, ngritjen e Flamurit nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ngritjen e flamuritnë Deçiq nga Ded Gjon Luli dhe ngritjen e flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali. 

Më pas pjesëmarrësit u thirrën të ngrihen në këmbë për të nderuar hyrjen e flamujve dhe një karvan prej 40 të rinjsh dhe fëmijësh me veshje kombëtare të grupit të valles të Kishës Zoja Pajtore të shoqëruar me tupan nga Tony Dedvukaj.

Hymnet e flamurit Amerikan dhe Shqiptar u kënduan si gjithmonë me mjeshtëri nga këngëtarja e mirënjohur Ermelinda Paparisto.

Programi i festës u drejtua nga dy moderatore, aktiviste të dalluara të kishës Zoja Pajtore, znj. Rita Gjelaj dhe znj. Merushe Lumaj. Në fjalën e tyre në shqip dhe anglisht ato uruan festën e pavarësisë së Shqipërisë “si e drejtë e një kombi të formuar në territorin e vet, të banuar pa ndërprerje gjatë shekujve, me gjuhë, kulturë, histori e individualitet të tij, e drejtë e fituar në një luftë të gjatë e të ashpër, si një vepër e pastër e kombit shqiptar”.

Më pas u prezantua paneli i tavolinës së nderit që përbëhej nga: i zoti i shpisë, Dom Ndue Gjergji, Famullitari i Kishës së Shën Palit, Dom Fred kalaj, i ardhur nga Klina Kryeimami Blerim Musliu, Sekretari i Federatës Vatra, Dr. Pashko Camaj, Veteranet e UCK-se, Komandant Ferid Berisha, z. Fehmi Podrimqaku dhe z. Avni Vrellaku, prof. Marjan Demaj, z. Mark Lulgjuraj dhe kryetari i Këshillit të Kishës shën Palit, Viktor Dedivanaj.

I ftuari i nderit i kësaj Feste ishte famullitari Dom Ndue Gjergji, i cili në fjalën e tij të rastit ndër të tjera u përqendrua në figurën e lartë të firmëtarëve të Pavarësisë, Ismail Qemai dhe Luigj Gurakuqi: “Shqipëria dikur e konsiderueme vend pa zot paska pas mbas vehtes dy roje shqiptare, të cilët paskan pas le vigana prej dy skajeve të Shqipnisë, njani nga Vlora e tjetri nga Shkodra, dy burra të pavdekshëm, dy trima të paharrueshëm, dy trupa me një shpirt, dy krahina me një atdhe, dy dialekte me nje gjuhë, dy fena me një Zot e me një gjak, dy trima me një kulturë, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi…”

Në vazhdim u egzekutuan me mjeshtëri edhe dy valle të tjera nga grupi “Illyrianet” i Kishës Zoja Pajtore nën drejtimin e koreografes Joli Agolli. Po ashtu 5 fëmijë nga klasat e gjuhës Shqipe të kësaj qendre kulturore lexuan poezi në shqip kushtuar flamurit dhe atdheut të pregatitura me kujdes nga mesuesja Esmeralda Demiraj.  Vlen të theksohet se klasat e valles dhe të gjuhës Shqipe janë pjesë e programit edukativ dhe kulturor që drejtohet për shume vite me passion dhe vullnetarisht nga aktivisti i kësaj Kishe z. Valentin Lumaj.

Në vazhdim përshendeti të pranishmit Imam Blerim Musliu, i cili foli edhe për rëndësinë e festës së Pavarësisë dhe heronjve të kësaj pavarësie. Fjalen e tij e mbylli me disa vargje të poetit shqiptar Gjergj Fishta.

Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të Federatës historike 111 vjeçare Vatra dhe foli mbi rëndësinë e këtyre aktiviteteve festive, shoqërore dhe kulturore të komunitetit “si ura lidhëse, në mes brezave të shkuar të të parëve tanë dhe brezit të ri, të këtyre fëmijve qe performuan para nesh sot, që të përcjellim ato vlera të mrekullueshme, ato vlera që na bajnë krenar që jemi shqiptar”.

Më pas në skenë u ftuan veteranët e UÇK-së të ardhur enkas nga Kosova për të nderuar këtë festë të Kishës Zoja Pajtore, z. Ferid Berisha i njohur në luftë si Komandant “SHKUPI”, z. Fehmi Podrimqaku dhe z. Avni Vrellaku 

Komandant “SHKUPI” ka udhëhequr me Brigadën 111 “Adem Jashari” të njohur si “Tigrat e Zi” njësi e specializuar e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Pregaz dhe Drenicë.

E veçanta e prezencës së tyre ishte se ata për herë të parë prezantuan uniformën e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Komandant “Shkupi”, në fjalën e tij theksoi rolin e UÇK-së dhe heronjve të saj në pavarësimin e Kosovës. Komandant shkupi nderoi me Mirënjohje të shoqëruar me medalionin përkatës në emër të Fondacionit “Never Forget”, Dom Ndue Gjergjin dhe pronarin e televizionit ACTV Arben Spahiu.

Kryetari i ri i sapozgjedhur i këshillit të Kishës Zoja Pajtore, në fjalën e tij, përshendeti dhe uroi te pranishmit festën e Pavarësisë, falenderoi famullitarin dom Ndue Gjergji dhe këshillin për besimin që i kanë dhanë dhe premtoi se energjitë e tij do të shkojnë vëtëm në të mirë të kësaj Kishe dhe në evangjelizimin e famullisë si detyrë kryesore.

Më pas këngëtarja më e re e komunitetit, Misi Gojçaj, e veshur me xhubletë dhe stoli të argjendta, këndoi këngën e saj më të re: “ Zemra më rreh për ty Shqipni”

Dom Fred Kalaj, u ftua për të bekuar Darkën. Nder të tjera, Dom Fredi tha: “…falenderoj Zotin për gjithçka që kena marrë prej tij, falenderoj Zotin për dhuratën e jetës dhe të familjes, të falenderojme që na ke dhanë Tokën Shqiptare, që na ke krijue nji komb me vlera të veçanta, dhe me vlera që dallojnë midis kombeve të tjera, O Zot i dashtun qysh prej fillimit, me praninë tande i ke caktue shqiptarët me e gzue Shqipninë brez pas brezit, e megjithse kena kulue nëpër tramvaje dhe lutna të pergjakshme, gjithmone e kena ndie prezencën tande o Zot…”

Pregatitja e darkës ishte bërë nën kujdesin ë vëçatë të z. Ndrec Merditaj me ndihmën e z. Marjan Gjetaj dhe këshillit të Kishës.

Darka vazhdoi deri afër mesnatës me programin muzikor të udhëhequr nga këngëtarja e mirënjohur kosovare Shpresa Gojani, ku përveç këngëve ritmike u dalluan edhe këngët patriotike apo ato kushtuar flamurit shqiptar.