Teheran, 28 shkurt 2026 – Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se shumë qytetarë iranianë nisën të festojnë në disa lagje të Teheranit, pas njoftimit të Presidentit amerikan Donald Trump se lideri suprem i Iranit, Ahatollahu Ali Khamenei, është vrarë gjatë sulmeve amerikane e izraelite në Iran, të shtunën në mëngjes.
Reuters u referohet disa dëshmitarëve dhe postimeve të qytetarëve iranianë në rrjetet sociale.
Kanali Iran International, i afërt me opozitën në Iran, ka publikuar videoregjistrime nga festimet. Pamje që pasqyrojnë atmosferën në disa lagje të kryeqytetit dhe qyteteve tjera iraniane, kanë publikuar edhe kanale të tjera. Pjesëmarrësit në festime janë kryesisht të rinj dhe të reja, studentë të universiteteve në kryeqytetin iranian.
Në rrjetet sociale janë shpërndarë edhe pamje nga qyteti Galeh Dar, në Iranin jugor, ku festuesit shihen duke e rrëzuar një shtatore të Ruhollah Khomeinit, themeluesit të Revolucionit Islamik në Iran.
Sipas shumë dëshmitarëve dhe regjistrimeve audio të shërndara në rrjetet sociale, festimet për vrasjen e Khamemeit kanë filluar pak pas orës 23:00 (19:30 GMT).
Pas raportimeve për vdekjen e Khameneit ka reaguar edhe Reza Pahlavi, djali në mërgim i shahut të fundit të Iranit. Në një postim në platformën X, ai ka shkruar se republika islamike “do të hidhet shumë shpejt në koshin e pluhurit të historisë.
Postimi i plotë i Pahlavit:
Ali Khamenei, despoti gjakatar i kohës sonë, vrasësi i dhjetëra mijëra bijve dhe bijave më të guximshëm të Iranit, është fshirë nga faqja e historisë. Me vdekjen e tij, republika islamike në fakt ka arritur fundin e saj dhe shumë shpejt do të hidhet në koshin e pluhurit të historisë.
Çdo përpjekje nga mbetjet e regjimit për ta emëruar një pasardhës të Khameneit është e destinuar të dështojë që në fillim. Këdo që ata e vendosin në vend të tij nuk do të ketë as legjitimitet dhe as jetëgjatësi, dhe pa dyshim do të jetë gjithashtu bashkëfajtor në krimet e këtij regjimi.
(r.m.)