Festivali i 33-të Shqiptar: Një festë e madhe e këngës, dhe vallës shqiptare në Nju Jork

Nga Beqir SINA – New York

Më 25 tetor 2025, Qendra Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” organizoi Festivalin e 33-të Shqiptar në pallatin e kulturës  “The Performing Arts Center”, Purchase College, Nju Jork. 

Ky festival, që konsiderohet si ngjarja më e madhe kulturore shqiptare në Shtetet e Bashkuara, mblodhi rreth 1500 spektatorë, dhe, mbi 350 përformues për të kremtuar këngën, vallen dhe identitetin shqiptar. 

Që nga edicioni i tij i parë në 1992, i nisur nga Dom Rrok Mirdita dhe drejtuar nga Tonin Mirakaj në Lehman College, Bronx, festivali shqiptar në SHBA, ka shërbyer si një urë e fuqishme për ruajtjen e gjuhës, traditës dhe shpirtit shqiptar në diasporë. 

Kësaj radhe festivali i “Kulturës dhe Traditës Shqiptare”, me këtë edicion solli një energji të re, duke përzier autenticitetin me prezantimin modern dhe duke bashkuar breza e treva të ndryshme.

Festivali Shqiptar në Amerikë,  një mbrëmje plot ngjyra dhe emocione:

Televizioni Kultura Shqiptare tha se salla gumëzhinte nga tingujt e çiftelive, daulleve dhe këngëve që jehonin nga Veriu në Jug. Mbi 100 fëmijë të lindur në Amerikë, disa të brezit të katërt, mahnitën publikun duke vallëzuar dhe kënduar shqip me një pasion që preku zemrat. Të veshur me kostume kombëtare nga Malësia, Labëria, Kosova, Çamëria, Struga,Tirana,  dhe Dibra, ata dëshmuan se shpirti shqiptar jeton gjallë edhe larg atdheut. 

Moderimi nga dy artistë  Alberie Hadergjonaj dhe Alfred Popaj i dha këtij festivali një freski dhe dinamikë të veçantë

“Vallja e tradicionale e kostarve” nga grupi “Rugova” spikati si një perlë e mbrëmjes, me një interpretim modern ku djem dhe vajza, të veshur me kostume tradicionale rugovase, krijuan një skenë magjepsëse me lëvizje të sinkronizuara dhe energji të pamasë. 

Potpuria popullore e Raif Hysenit dhe Merita Halilit, e interpretuar me studentët e Ansamblit Shqiptaro-Ballkanik të Universitetit Montclair, ndezi sallën me emocione të forta, duke rikthyer kujtimet e vendlindjes, duke ju bashkuar dhe muzikantve amerikan që mastro Hyseni i ka mësuar të këndojnë shqip. 

Këngë si “Besa-besë” nga grupi Lab-Boston, rapsodia “Po qan çika e Dukagjinit” nga Engjëll Koçaj, dhe “Oj Kosov’ e kuqe” nga Ermina Bushi sollën në skenë një mozaik të pasur të traditës shqiptare. 

Grupe nga Detroiti, Bostoni, New Jersey, Kenektikati, Pensilvania dhe Kanadaja, bashkë me artistë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Struga, performuan ne valle . Grupi Rozafati i koreografes Agjelina Nika -“Mjeshtre e Madhe” si për her e ndezi atmosferën. “Valle e këndur për pavarësinë e Kosovës” nga ansambli i qendres kulturore Struga, ka përfaqësuar çdo cep të botës shqiptare.

Fjalimi i Dom Pjetër Popajt: Një bekim për bashkim dhe traditë: 

Dom Pjetër Popaj, famullitari i Kishës “Zoja e Shkodrës”, hapi festivalin me një fjalim që ndezi ngjyrat e festivalit.

 “Mirëmbrëma dhe mirëserdhët në Festivalin e 33-të Shqiptar, organizuar nga Qendra ‘Nënë Tereza’ pranë kishës sonë në Hartsdale, Nju Jork,” tha ai. 

“Përshëndes me respekt klerikët, politikanët dhe përfaqësuesit e organizatave që na nderojnë me praninë e tyre. Viti pas viti, ne mblidhemi për të promovuar dhe kultivuar traditën, kulturën dhe gjuhën tonë shqipe përmes këngës dhe vallës nga të gjitha trevat shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve. 

Kjo mbrëmje nuk do të ekzistonte pa dedikimin e komisionit organizativ- vullentarve të famullisë tonë,  dhe pasionin e artistëve, të komunitetit ku shumica e të cilëve janë lindur këtu në Amerikë, por e duan të jenë pjesë e këtij festivali. Kjo tregon dashurinë e tyre për të qenë shqiptarë. Le të shijojmë programin dhe të përkrahim njëri-tjetrin për të mbajtur gjallë trashëgiminë tonë. Zoti ju bekoftë!” 

Fjalët e Dom Pjetrit, plot ngrohtësi dhe frymëzim, krijuan një ndjenjë uniteti dhe krenarie mes të pranishmëve.

Festivali Shqiptar: Një mision për identitetin shqiptar në SHBA

Ky festival është më shumë se një ngjarje artistike është një mision për të ruajtur identitetin shqiptar në një mjedis ku asimilimi është një sfidë e vazhdueshme, thotë drejtuesi artistik Agim Kola, i cili theksoi ndikimin afatgjatë të festivalit: 

“Pas një pjesëmarrjeje kaq të madhe, me mbi një mijë spektatorë, besoj se ky festival luan një rol thelbësor në forcimin e rrënjëve tona. Kur fëmijët dhe të rinjtë tanë shohin muzikën, vallet dhe kostumet shqiptare në një skenë profesionale në Nju Jork, ata ndihen krenarë për origjinën e tyre. Kjo krenari bëhet ura më e fortë që i lidh me gjuhën dhe kulturën tonë, duke e mbajtur gjallë brez pas brezi.” 

Ai vuri në dukje energjinë e re të edicionit të 33-të, me përfshirjen e të rinjve dhe bashkëpunimin e ngushtë mes artistëve nga Veriu, Jugu, Kosova, Mali i Zi dhe Dibra. 

“Performancat, si ato të grupit ‘Rozafati’ apo ‘Gjergj Kastrioti’ nga Detroiti, “Bashkimi” i Bashkim Brahos nga Bostoni, Grupi labëria, Grupi i Strugës, ansambli Rugova, dhe Kelemndi, tregojnë historinë dhe shpirtin tonë përmes ritmit dhe lëvizjes, duke folur drejtpërdrejt në zemër,” shtoi Kola. 

Raif Hyseni, drejtues i Ansamblit Shqiptaro-Ballkanik, ndau krenarinë e tij:

 “Studentët tanë përfaqësuan me dinjitet Universitetin Montclair, duke ndarë traditat e pasura të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ky festival është një moment që forcon lidhjen tonë me rrënjët dhe krijon një kujtesë të përbashkët shqiptare në diasporë.” tha ai.

Profesionalizëm dhe përkushtim për komunitetin shqiptar:

Nën drejtimin e Dr. Elizabeta Peraj dhe Dom Pjetër Popajt, festivali u shqua për organizimin profesional dhe bashkëpunimin e palodhur të komunitetit. Vullnetarët e Qendrës “Nënë Tereza”, të udhëhequr nga Ndrekë Tomaj, president i këshillit të famullisë, dhe mbështetja e bizneseve shqiptare”, mundësuan një mbrëmje të paharrueshme. 

Gazetari Denion Ndrenika e quajti organizimin “mbresëlënës dhe gjithpërfshirës”. 

“Në tre vjet në SHBA, ky është organizimi më i mirë që kam parë. Larmia e këngëve dhe valleve nga çdo trevë shqiptare Malësia, Çamëria, Labëria, Kosova dhe skena që rivalizonte Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, bënë që çdo spektator të ndihej i përfaqësuar,” tha ai për Report Tv. 

Festivali Shqiptar : Një urë mes brezave dhe një mesazh për të ardhmen

Festivali i 33-të Shqiptar është një dëshmi e fuqisë së komunitetit për të mbajtur gjallë shpirtin shqiptar në mërgatë. Përmes këngëve si “Kur bjen fyelli e çiftelia” dhe valleve si “N’Tropoj’ çikat thirren zana”, ai ndërton një lidhje të fortë mes brezave, duke përcjellë krenari dhe bashkim. 

Dedikuar ruajtjes së kulturës shqiptare, ky edicion tregoi se tradita mund të jetojë dhe të përshtatet me kohën. Festivali Shqiptar në Nju Jork, fton çdo shqiptar, kudo që ndodhet, të kontribuojë për të kaluar këtë trashëgimi te fëmijët tanë, duke mbajtur gjallë gjuhën, këngën dhe vallen tonë. Dhe, të vazhdojmë të kremtojmë identitetin tonë me krenari. 

Televizioni Kultura Shqiptare në kanalin 26 të TVALB do të trasmetojë videon e plotë të Festivalit të 33-të Shqiptar në Nju Jork