Prishtinë, 2 korrik 2022 – Festivali i muzikës Sunny Hill pritet të mbahet në fillim të muajit gusht në Parkun e Gërmisë në Prishtinë, njoftoi të shtunën kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Ai tha se janë siguruar lejet e nevojshme për mbajtjen e festivalit në këtë park më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.
“Për shkak të kufizimeve të hapësirës në parkun e Gërmisë, ‘Sunny Hill Festival’ këtë vit do të ketë kapacitet të kufizuar të pjesëmarrësve, përkundër potencialit dhe nevojave në rritje që i ka festivali”, shkruan Rama në Facebook.
Ai shton se “Sunny Hill Festival” është zotuar se e gjithë hapësira e parkut që do të merret në shfrytëzim do të përdoret me kujdes dhe se pastrimi dhe rigjenerimi i parkut do të bëhet me investimet e “Sunny Hill Festival”.
Lajmi për lokacionin ku do të mbahet “Sunny Hill” vjen disa ditë pasi u bë e ditur se festivali do të mbahet në Prishtinë, pasi pak kohë më pare ishte njoftuar që ky festival do të mbahej në Tiranë.
Më 14 qershor, themeluesi dhe organizatori i festivalit, Dukagjin Lipa, pati bërë të ditur që “Sunny Hill” do të zhvendosej në Tiranë, “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”. Palët kanë qenë në diskutim për dhënien në shfrytëzim të një parcele prej 17 hektarësh në fshatin Bërnicë e Poshtme, në periferi të Prishtinës.
Mirëpo sipas deklaratës së 20 qershorit, palët kanë shprehur gatishmëri “që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme”.
Sodoqoftë, një edicion i veçantë i festivalit, me këngëtarë të tjerë, do të mbahet në Tiranë, më 26,27 dhe 28 gusht.
Festivali “Sunny Hill” është themeluar nga Fondacioni “Sunny Hill”, i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa. Edicioni i pare i festivalit është mbajtur më 2018. Edicioni i vitit 2020 ishte anuluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Prej themelimit Festivali “Sunny Hill” është mbajtur në Parkun e Gërmisë, në Prishtinë.
(r.m.)