Fillon punën Gjykata Administrative, gjykata e parë e specializuar në Kosovë

Prishtinë, 5 maj 2026 – Të martën, në Objektin e Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, ka filluar punën Gjykata Administrative, gjykata e parë e specializuar në Kosovë. Kjo gjykatë është themeluar në kuadrin e reformës në drejtësi, me qëllim zgjidhjen e drejtë dhe më të shpejtë të rasteve të konflikteve administrative, të cilat janë zvarritur me vite në gjykatat e deritashme.

Në ceremoninë solemne të hapjes, morën pjesë drejtues e përfaqësues të sistemit të drejtësisë, si edhe autoritetet shtetërore.

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se fillimi i punës së kësaj gjykate është një moment i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Albulena Haxhiu

“Ajo që për administratën mund të jetë një lëndë, për qytetarin është vendi i tij i punës, pensioni i prindit, paga e familjes, një ndihmë e domosdoshme, një licencë për të punuar, apo një e drejtë që e ka kërkuar me muaj apo me vite të tëra. Prandaj, duhet theksuar se vendimet administrative e prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Haxhiu.

Ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës shpesh janë detyruar të presin gjatë “për ta kuptuar nëse vendimi i një institucioni është i drejtë apo i ligjshëm, nëse është i arsyetuar, nëse ka ku të ankohet dhe nëse ankesa e tij do të merret seriozisht”.

“Në një republikë demokratike, vendimi i administratës nuk mund ta lërë qytetarin pa rrugë. Ai duhet të mbështetet në ligj, të arsyetohet qartë dhe të mund të kundërshtohet kur qytetari mendon se i është cenuar një e drejtë:, ka theksuar ajo.

Haxhiu ka shprehur bindjen se kjo gjykatë do t’i trajtojë lëndët pa zvarritje dhe qytetarët nuk do të jenë të pambrojtur nga gabimet e administratës.

“Uroj që puna e saj ta afrojë qytetarin me të drejtën dhe ta mbajë administratën më afër përgjegjësisë!”, ka theksuar Haxhiu.

Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka thënë se me funksionalizimin e Gjykatës Administrative në Kosovë po vihet në funksion një mekanizëm i ri i shtetit ligjor.

“Gjykata Administrative është gjykata e parë e specializuar në vendin tonë, e cila do ta trajtojë konfliktin administrativ dhe kontestet e punës në sektorin publik. Kjo do të thotë se qytetari, zyrtari publik dhe institucioni do të kenë një adresë të qartë, më profesionale dhe më të specializuar për çështjet që lidhen me administratën publike”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka thënë se kjo gjykatë e fillon punën me mbi 10 mijë lëndë të bartura, gjë që përbën sfidë serioze, por edhe mundësi për të dëshmuar se një gjykatë e specializuar “mund të sjellë më shumë rend, shpejtësi dhe cilësi në drejtësinë administrative”.

Ajo ka shprehur bindjen se kjo gjykatë do ta kthejë besimin e qytetarëve.

“Besimi krijohet me vendime të drejta. Me procedura të shpejta. Me praktikë të unifikuar. Me profesionalizëm dhe integritet”, ka theksuar ministrja Gërvalla.

Rexhep Gashi

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Administrative, Rexhep Gashi, ka thënë se kjo gjykatë do të jetë shtyllë e fortë për drejtësinë. Ai ka thënë se kjo gjykatë, në fillim të punës së saj, do të përballet me sfida, njëra prej të cilave pa dyshim do të jetë numri i madh i lëndëve që do të barten nga gjykatat tjera.

Por, ai ka theksuar se trupi i gjyqtrarëve, bashkëpunëtorëve dhe ekspertëve do të angazhohen për vendimarrje profesionale.

“Do të angazhohemi për të garantuar vendimarrje profesionale, të paanshme dhe në kohë të arsyeshme”, ka theksuar ai.

Gashi ka shpjeguar se kjo gjykatë do t’i ketë 4 departamente: departamentin fiskal, departamentin për konteste të punës, departamentin për skema sociale dhe pensionale të financuara nga shteti si dhe departamentin e përgjithshëm.

Ai ka thënë se në këtë gjykatë do kryejnë funksionin e tyre 23 gjyqtarë, përfshirë edhe kryetarin e gjykatës. Ai ka treguar se deri më tani në këtë gjykatë e kanë filluar punën 15 gjyqtarë, por së shpejti pritet trasferimi i disa gjyqtarëve të tjerë. 

Arjeta Sadiku, ushtruese e detyrës së Kryesueses së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka thënë se kjo gjykatë do të jetë e specializuar për të shqyrtuar dhe vendosur çështjet në konflikte administrative dhe kontestet nga marrëdhënia e punës.

“Gjykata Administrative përfaqëson një risi të rëndësishme në sistemin gjyqësor të Kosovës. Kjo gjykatë do të jetë e specializuar për të shqyrtuar dhe vendosur çështjet në konflikte administrative dhe kontestet nga marrëdhënia e punës në juridiksionin e saj, duke ofruar një mekanizëm të pavarur, profesional dhe efikas të kontrollit gjyqësor në vendimet e organeve administrative”, ka thënë ajo.

Fejzullah Rexhepi, kryetari i Gjykatës Supreme, ka thënë se Gjykata Administrative ka një rol kyç në garantimin e mbrojtjes juridike të qytetarëve dhe subjekteve juridike përballë vendimeve të administratës.

“Ky moment shënon një zhvillim të rëndësishëm në avancimin e sistemit tonë gjyqësor dhe në forcimin e shtetit ligjor. Themelimi dhe funksionalizimi i kësaj gjykate është dëshmi e përkushtimit tonë për të ndërtuar një drejtësi më efektive, më të specializuar dhe më të qasshme për qytetarët”, ka thënë ai.

“Gjykata Administrative ka një rol kyç në garantimin e mbrojtjes juridike të qytetarëve dhe subjekteve juridike përballë vendimeve të administratës. Ajo do të sigurojë që çdo veprim dhe akt administrativ të jetë në përputhje me ligjin dhe standardet e drejtësisë, duke përforcuar kështu besimin e qytetarëve në institucionet tona”, ka theksuar ai.

Ligji për Gjykatën Administrative ka hyrë në fuqi më 6 shkurt 2026.  Me dispozitat kalimtare të këtij ligji ishte përcaktuar një afat prej tre muajsh për funksionalizimin e kësaj gjykate

Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka quajtur këtë ngjarje moment të rëndësishëm për sistemin gjyqësor të vendit, duke theksuar se ky institucion synon forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e efikasitetit në trajtimin e kontesteve administrative.

(r.m.)

Comment

*