Filmi “BESA” i realizuar nga ekipi OLL KORRECT ka hyrë në listën e ngushtë të filmave më të mirë në festivalin global të filmit të krijuar me inteligjencë artificiale, ‘Higgsfield Global Film Festival’.
Pas përfundimit të votimit publik, filmi kaloi në fazën vendimtare të vlerësimit nga juria ndërkombëtare, në një garë globale të filmit me AI.
Filmi është përfshirë në ‘shortlist’-in e “Higgsfield Global Film Festival”, një garë ndërkombëtare për filma të realizuar brenda ekosistemit të platformës Higgsfield.
Filmat që arrijnë në këtë fazë vlerësohen sipas katër kritereve kryesore: Directing & Storytelling – qartësia narrative, impakti emocional dhe këndvështrimi kinematografik.
‘Higgsfield Global Film Festival’ ka një fond prej 1 milion dollarësh për çmimet. Fituesi i çmimit të parë shpërblehet me 500 mijë dollarë. Filmi i çmimit të dytë shpërblehet me 200 mijë dollarë, kurse fituesi i çmimit të tretë me 100 mijë dollar. 100 mijë dollarë të tjera ndahen për Audience Choice Award.
Në programin e festivalit, ku dominojnë filmat me përmbajtje futuristike e fantastike, “BESA”, i realizuar nga ekipi “OLL KORRECT”, sjell folklorin, arkitekturën, kostumet dhe simbolet shqiptare.
“BESA” e sjell në ekran një histori që e ka në qendër besën shqiptare, legjendën e Konstandinit dhe Doruntinës. Në qendër të filmit është premtimi që ia kishte dhënë Kostadini të ëmës se ai do ta sillte në shtëpi të motrën, Doruntinën, e cila është martuar në një vend të largët, pavarësisht rrethanave dhe vështirësive. Por, Konstandini vritet në luftë, gjë që e bën realisht të pamundur përmbushjen premtimit. Por, besa që ia kishte dhënë nënës i jep historisë dimensione joreale. Ajo e ngre Konstandinin nga varri që ta përmbushë premtimin e dhënë. Kështu, besa e mund edhe vdekjen.
“BESA” e bën lehtësisht të kuptueshme përgjegjësinë e dhënies së besës në traditën shqiptare. Historia e këtij filmi i kapërcen kufijtë e traditës dhe kulturës dhe merr dimensione globale.
Ajo që e bën projektin veçanërisht interesant është mënyra se si është përdorur inteligjenca artificiale.
Sipas ekipit, koncepti, skenari, regjia, montazhi dhe përpunimi vizual janë realizuar nga njerëzit, ndërsa AI është përdorur si mjet për gjenerimin e materialit vizual dhe të elementeve muzikore.
Secila skenë është ndërtuar dhe montuar veçmas, duke ndjekur vizionin e ekipit. Kjo e vendos projektin në një pikë interesante të debatit aktual për inteligjencën artificiale në industrinë kreative.
Te “BESA” inteligjenca artificiale përdoret si instrument për ta realizuar një histori të gjallë ndër breza. Ndoshta pikërisht këtu qëndron një nga elementet më të forta të filmit.
(r.m.)