Filmi “Dua” i regjisores Blerta Basholli – premierë botërore në Festivalin e Kanës

Prishtinë, 14 prill 2026 – Filmi “Dua” me skenar dhe regji të Blerta Bashollit do të ketë premierën e saj botërore në kuadër të seksionit prestigjioz “Semaine de la Critique”, në Festivalin e Filmit në Kanë. Ky film është përfshirë në konkurrencë me 6 filma të tjerë për katër çmime kryesore.

Përzgjedhja e filmit “Dua” për seksionin “Semaine de la Critique” konsiderohet një arritje e jashtëzakonshme për filmin kosovar. Kjo është hera e parë që një film nga Kosova përfshihet në programin e këtij seksioni, që është një platformë e rëndësishme për promovimin e talentëve të rinj dhe filmave artistikë me potencial të madh.

Ky film i metrazhit të gjatë është një rrëfim krejt personal dhe bazohet në përvojën e vetë regjisores Basholli. Në qendër të historisë është një vajzë shqiptare 13-vjeçare në ditët e vështira për shqiptarët e Kosovës. Historia zhvillohet në Prishtinë, në muajin mars të vitit 1999, kur pritej ndërjyrja e NATO-s për të ndalur krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve.

“Ndërsa lufta afrohet dhe tensionet etnike përshkallëzohen, 13-vjeçarja Dua përpiqet ta gjejë vendin e saj mes bashkëmoshatarëve dhe brenda trupit të saj që po ndryshon. Pas një incidenti që e trondit komunitetin e saj, ajo vetë bëhet shënjestër dhe lidhet me një vajzë të guximshme, Makin, e cila e tërheq drejt një forme të papritur të rezistencës”, shkruhet në përshkrimin që i bën filmit “Java e kritikës”.

Filmi “Dua” është bashkëprodhim i Kosovës, Zvicrës dhe Francës.

Në kastin e aktorëve, ndër të tjerë, janë edhe Arben Bajraktaraj, Pinea Matoshi, Kaona Matoshi, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Fiona Abdullahu dhe Mila Saviq.

Regjisorja Blerta Basholli tashmë ka bërë emër në kinematografi. Filmi i saj “Zgjoi” ka marrë vlerësime të larta nga kritika. Ky film ishte përfshirë në zgjedhjen e ngushtë për çmimin “Oskar” në kategorinë e filmave të huaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndarë një mesazh mbështetës për këtë arritje të rëndësishme të regjisores Blerta Basholli.

Mesazhi i plotë i Kurtit:

Filmi “Dua” me premierë botërore në Semaine de la CritiqueJemi jashtëzakonisht të lumtur që filmi me metrazh të gjatë “Dua”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, do të ketë premierën botërore në Semaine de la Critique, në kuadër të Festivalit të Filmit në Kanë.

Blerta tashmë na ka bërë krenarë të gjithëve me filmin “Zgjoi” dhe çmimet e shumta të fituara me atë film.

Kjo është hera e parë që një film kosovar përzgjidhet në Semaine de la Critique, një nga seksionet më prestigjioze dhe më kompetitive të festivalit, ku “Dua” do të garojë për katër çmime kryesore.

Filmi mbështetet nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Centre National du Cinéma et de l’Image Animée (CNC), Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages dhe SRF – Schweizer Radio und Fernsehen, Cineforom.

(r.m.)

Comment

*