Venecia, 4 shtator 2025 – Filmi “The Voice Of Hind Rajab” (Zëri i Hind Rajabit) i regjisores tuniziane Kaouther Ben Hania mori vlerësim të jashtëzakonshëm të publikut në Festivalin e Filmit në Venecia.
Të mërkurën, pas shfaqjes premierë, ekipi realizues i filmit u përshëndet me durtrokitje frenetike, me ovacione dhe me thirrjet “Free Palestine” (Palestina e lirë) të publikut që qëndroi në këmbë më se 23 minuta e 50 sekonda.
Filmi është një dramë e fuqishme e rindërtuar mbi rastin e vrasjes së palestinezes gjashtë vjeçare Hind Rajab, familjes së saj dhe dy ndihmës mjekëve që u përpoqën të ndihmonin vajzën e plagosur pasi vetura e tyre u qëllua nga forcat izraelite derisa po largoheshin nga Gaza, në janar të vitit 2024.
Shumë prej publikut qanë gjatë shfaqjes së filmit dhe pas përfundimit të shfaqjes për viktimat e pafajshme palestineze në Gazë.
Gjatë duartrokitjeve dhe ovacioneve të publikut, aktori i filmit “The Voice Of Hind Rajab”, Motaz Malhees, e shpalosi në skenën flamurin palestinez, gjë që e emocionoi edhe më shumë publikun në sallë. Anëtarët e ekipit realizues të filmit e mbajtën në duar portretin e vogëlushes Hind Rajab, e cila u bë simbol i viktimave të pafajshme të ndërhyrjes ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.
Duartrokitjet për filmin “The Voice Of Hind Rajab” i tejkaluan rekordet e mëparshme të një festivali filmi. Deri më tani, duartrokitjet më të gjata ishin regjistruar në Festivalin e Filmit në Kanë të vitit 2006, për filmin “Pan’s Labyrinth” të regjisorit Guillermo del Toro, të cilat kishin zgjatur 22 minuta. Rekordin e vitit të kaluar në festivalin e Venecias e mbante filmi “The Room Next Door” i regjisorit spanjol Pedro Almodovar, të cilat kanë zgjatur 18 minuta.
Tunizia e do të konkurrojë me filmin “The Voice Of Hind Rajab” për çmimin Oscar në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar. Ditën që u bë zyrtare ky njoftim, në një konferencë për shtyp, regjisorja Kaouther Ben Hania dhe kasta e fiklmit u pritën me duartrokitje në këmbë, ndërsa aktorja Saja Kilani mbajti një fjalim të fuqishëm, në emër të ekipit realizues të filmit.
“Ky film nuk është një opinion apo fantazi. Ai pasqyron të vërtetën. Historia e Hindit mbart peshën e një kombi të tërë. Zëri i saj është një nga dhjetëra mijëra fëmijë që janë vrarë në Gaza vetëm gjatë dy viteve të fundit. Ku është zëri i çdo vajze dhe çdo djali që ëndërron ta vazhdojë jetën, një jetë dinjitoze, e cila u vidhet para syve tanë”, tha Kilani.
(r.m.)