Financimet ruse në politikën shqiptare, ambasadorja Kim takoi kryetarin e KQZ-së dhe përfaqësues të disa partive

Tiranë, 15 shtator 2022 – Vetëm dy ditë pasi qeveria amerikane publikoi të dhëna nga një raport i komunitetit amerikan të zbulimit mbi financimet ruse në dhjetëra vende, mes të cilëve edhe Partinë Demokratike të Shqipërisë përmes kompanive fantazmë, ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, zhvilloi sot një takim me kryetarin e KQZ-së, Ilirian Celibashi si dhe përfaqësues të disa partive politike.

Sipas njoftimit të ambasadës në takim u diskutua mbi kërcënimin serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion.

“Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve” – theksohet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Departamenti amerikan i Shetit tha të mërkurën se duke u nisur nga rreziku që këto ndërhyrje përbëjnë për sovranitetin dhe demokracinë e vendeve dhe ndikimi që Rusia përpiqet të ushtrojë, Shtetet e Bashkuara folën publikisht për këtë çështje.

“Ndoshta më e rëndësishmja, ne jemi angazhuar me vendet në mbarë botën për të ndarë atë që dimë për ndërhyrjen e Rusisë në sistemet zgjedhore gjerësisht, por edhe në raste specifike. Kur kemi informacion, përfshirë informacion zbulimi, – në lidhje me ndërhyrjen e Rusisë, ne shpesh jemi në gjendje ta ndajmë atë informacion të klasifikuar me qeveritë partnere”, tha zëdhënësi Ned Price.

Pas takimit me Ambasadoren Kim, Kryetari i KQZ-së së Shqipërisë, Ilirian Celibashi, tha se ligjet shqiptare kanë nevojë për t’u përmirësuar që të rritet transparenca e financimeve drejt partive politike.

“Mund të them që ka nevojë për përmirësim të kuadrit ligjor, të jepet mundës praktike për të hetuar për sasinë e parave që marrin partitë politike dhe nga i marrin. – tha zoti Celibashi.

Zoti Celibashi tha se Shqipëria ka përpara një fushatë zgjedhore dhe se do të ketë ndryshime edhe në kuadër të reformës zgjedhore për të shmangur këto rreziqe. Gatishmërinë për të përmirësuar legjislacionin e kësaj fushe dhe për të shtuar transparencën e financimeve shprehën pas këtij takimi edhe përfaqësuesit e partive politike, që ishin në tryezë nga Partia Socialiste, Partia Demokratike, ajo Republikane dhe Partia e Lirisë.

Qeveria amerikane publikoi të martën të dhënat e një raporti nga komuniteti amerikan i zbulimit, sipas së cilit Rusia ka financuar fshehurazi prej 8 vjetësh parti e kandidatë në dhjetëra vdene, për të ndikuar demokracitë nga brenda. Mes tyre përmendet edhe Shqipëria, ku një burim i administratës amerikane tha se sipas informacionit të raportit, Rusia i dha gjysmë milionë dollarë Partisë Demokratike përmes kompanive fantazmë në vitin 2017.

Ish kryetari i PD-së në atë periudhë, Lulzim Basha, ka mohuar kategorikisht që të ketë marrë financime të huaja, aq më pak nga Rusia. Ndërsa grupimi i përkrahësve të ish kryeministrit Sali Berisha deklaruan dje se ky ishte një akt personal i zotit Basha, ndaj kërkuan rihapjen e hetimeve për këtë çështje si dhe u shprehën për një audit të brendshëm të financave të partisë.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)