Pragë, 12 maj 2025 – Fiona Hill, ish-këshilltare e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në mandatin e parë, ka thënë se Presidenti Trump po e përmbys rendin botëror që deri më tani është drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ky është fundi i sistemit ndërkombëtar, siç e njohim ne”, ka thënë Fiona Hill, tani një nga kritiket më të mëdha të Trumpit, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
“Presidenti Trump nuk do më që të paguajë për këtë [rend ndërkombëtar] apo ta mbështesë atë, madje as në aspektin e udhëheqjes politike dhe kjo vlen edhe për institucionet vendore që janë të lidhura me projeksionin e ndikimit dhe fuqisë së SHBA-së jashtë vendit”, ka thënë zonja Hill.
“Sistemi aktual ndërkombëtar, i udhëhequr nga SHBA-ja, ka sjellë një periudhë të paprecedent paqeje dhe mirëqenieje botërore. Nëse ky sistem do të mbijetojë në një formë apo tjetër, atëherë do të jetë falë Evropës dhe Azisë”, ka thënë ajo.
Zonja Hill ka paralajmëruar se përshkallëzimi i sulmeve të Trumpit ndaj organizatave dhe institucioneve botërore do të dëmtojnë aleancat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të prishin imazhin e Uashingtonit në skenën botërore.
“SHBA-ja e ka humbur besueshmërinë në nivel botëror. Shumë nga kjo është e pakthyeshme. Do të duhet shumë kohë që SHBA-ja të rindërtojë atë që ka humbur”, ka theksuar ajo.
Fiona Hill, e cila është studiuese e njohur për Rusinë dhe biografe e presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë se duket që SHBA-ja tani po e ndjek “trajektoren” e Rusisë së Putinit dhe të Hungarisë së Viktor Orbanit.
“Nuk e kam menduar kurrë që do ta shihja Shtetet e Bashkuara të afrohen me Rusinë në këtë mënyrë. Ka shumë përputhje, por nuk është drejtimi që njerëzit mendonin se do të ndodhte pas vitit 1989”, ka thënë ajo.
Sipas saj, kjo është pasojë e përpjekjeve të Trumpit për të zhbërë balancën e pushteteve në SHBA dhe për të shmangur kontrollin e pushtetit të tij.
(r.m.)