Fituesja e çmimit Nobel për Paqe: Populli iranian do të triumfojë ndaj autoritarizmit

Oslo, 10 dhjetor 2023 – “Populli iranian do ta mposhtë përfundimisht autoritarizmin e vendosur nga Qeveria, e cila e ka humbur legjitimitetin dhe mbështetjen e popullit”, tha fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, e cila gjendet në burg.

Në fjalimin e saj, të cilin e dërgoi nga burgu famëkeq i Iranit, Evin, Mohammadi tha se rezistenca e vazhdueshme dhe mospërdorimi i dhunës janë strategjitë më të mira për të sjellë ndryshim.

“Populli iranian, me këmbëngulje, do ta mposhtë autoritarizmin dhe shtypjen. Mos kini dyshime, kjo është e sigurt”, tha ajo në fjalimin e shkruar gjuhën frënge.

Narges Mohammadi është duke i vuajtur disa dënime për “përhapjen e propagandës kundër Republikës Islamike”. Ajo është arrestuar në nëntor 2021.

“Po e shkruaj këtë mesazh brenda mureve të larta dhe të ftohta të burgut”, shkruante Mohammad, duke shtuar se ajo dhe shumë aktivistë të tjerë në Iran po luftojnë vazhdimisht për “të mbetur gjallë”.

Fjalimi i saj u lexua në ceremoninë e dorëzimit të çmimit Nobel, në Oslo, nga fëmijët e saj, binjakët Kiana dhe Ali Rahmani, 17 vjeç. Ata e pranuan çmimin e së ëmës në ceremoninë ku morën pjesë të gjithë fituesit e sivjetmë të Nobelit dhe qindra mysafirë nderi.

Narges Mohammadi u nderua me çmimin Nobel për luftën e saj të padhunshme kundër shtypjes së grave në Iran dhe për promovimin e të drejtave të njeriut për të gjithë. Ajo e fitoi këtë çmim rreth një vit pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgimin e policisë së moralit të Iranit, e cila ishte arrestuar se gjoja nuk e kishte veshur si duhet shaminë e kokës apo hixhabin.

Gratë iraniane u kanë prirë protestave gjithëkombëtare, të cilat u nxitën nga vdekja e Aminit, në shtator të vitit 2022. Protestat e humbën fuqinë dalëngadalë kah fundi i vitit 2022, pasi protestuesit u përballën me masa të forta shtypëse nga forcat e sigurisë. Qindra protestues u vranë dhe mijëra të tjerë u arrestuan.

(r.m.)