Nga Fuat Memelli
BOSTON
Dita e ftohtë dhe me erë nuk i pengoi shqiptarët e Bostonit për t’u mbledhur në sheshin para bashkisë për të festuar 113 vjetorin e Pavarësisë. Atmosfera festive që preku zemrat e pjesëmarrësve, u çel me himnet kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë. Guvernatorja e Shtetit të Massachusetts, Maura Tracy Healey, me një proklamatë speciale shpalli 28 Nëntorin 2025, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në këtë shtet. Proklamatën e lexoi Faton Limani, ligjërues i gjuhës shqipe dhe administrator departamenti në Universitetin e Harvardit. Ai është një zë i veçantë i komunitetit shqiptar të Bostonit.
Në emër të Shoqatës “Mass.Besa” përshëndeti zv. kryetarja Jorida Qirollari, e cila midis të tjerash theksoi:”Sot jemi mbledhur për të festuar Ditën e Pamvarësisë, ditën më të shenjtë të shqiptarëve. Shoqata jonë e cila sivjet mbush 25 vjet ka mision të saj ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës dhe traditive më të mira të popullit shqiptar.”
Në fjalën e tij kryetari i degës së Vatrës në Boston, Mentor Maksutaj ndër të tjera theksoi:”Kjo ditë nuk është thjesht një datë në kalendar, është kujtesa e gjallë e sakrificave, ëndrrave dhe vendosmërisë së një populli që zgjodhi lirinë mbi gjithçka. Në këtë përvjetor, përkujtojmë me respekt të thellë të gjithë firmëtarët e aktit të Pamvarësisë si dhe të gjithë ata që punuan, luftuan dhe sakrifikuan për një Shqipëri të pavarur.”
Si buqeta lulesh të thurrura bukur, ishin programet e dy shkollave shqipe, ajo e “Mass.Besës” e ngritur në vitin 2006 dhe ajo e Çunave të Bostonit me emrin” Gjuha Shqipe ABC” e ngritur vitet e fundit. Vogëlushët recituan poezi të Naim Frashërit, Çajupit, etj. Kënduan edhe këngë për flamurin e Atdheun tonë, duke marrë si “shpërblim” duartrokitjet e pjesëmarrësve.
Në shesh vërshuan më pas si flutura vajzat e grupit të valleve “Bashkimi” Danc”.Ky grup nën drejtimin e koreografit të njohur Bashkim Braho, ka vite që që zbukuron veprimtaritë e shqiptarëve të Bostonit si dhe të disa qyteteve të tjera të Amerikës.
Si oshëtimë jehoi në shesh kënga e grupit e të Shoqatës ” Labëria” dega Boston, kushtuar Ismail Qemalit. Vargjet: “ Ngrehu ti o kryeburrë / Ngrehu të puthësh flamurë.” ishin refren i kësaj kënge bukur. Edhe ky grup “kori” duartrokitjet e pjesëmarrësve.
Veprimtaria e organizuar nga “Mass.Mesa” dhe dega e “Vatrës” në Boston e u moderua nga studentja e Universitetit të Harvardit, Jonada Shukarsi, u mbyll me valle nga shumë pjesëmarrës. Zjarrin patriotik që ndez kjo datë në zemrat tona, le ta mbajmë ndezur çdo ditë të vitit e të kontribuojmë për Atdheun, pasi siç ka thënë presidenti amerikan Kennedy: ” Mos pyet se ç’do të bëjë Atdheu për ty, por pyet ç’mund të bësh ti për të.”












