Rafaela Prifti
Flutura Kusari, juriste e së drejtës së mediave në Qendrën Evropiane për Lirinë e e Shtypit dhe Mediave, është vënë në shënjestër të komenteve ofenduese për denigrimin e figurës së saj. Një nga profesionistet më në zë të rajonit për fushën e saj, këshilltarja ligjore me origjinë nga Kosova është mbrojtëse elokuente e së drejtës së mediave dhe gazetarëve në një kohë veçanërisht sfiduese për mjetet e informimit në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë. Ajo i njeh sfidat e lirisë së shprehjes dhe të medias ndërkohë që këto ditë është vënë personalisht në shënjestër të fyerjeve në platformat mediale.
Pasi Flutura Kusari foli javën e kaluar në KTV për gjendjen dhe kushtet e rënda e të pasigurta në të cilat po raportojnë gazetarët në veri të Kosovës duke theksuar se përgjegjësia për mbrojtjen e tyre i takon shtetit, një analist që njihet si përkrahës i pushtetit komentoi jo për përmbajtjen e analizës së saj por për pamjen e jashtme. Postimi i tij në Facebook nxiti qindra komente me qendrime mizogjene, ofenduese dhe kërcënuese ndaj juristes. Reagimet që pasuan nga media online si Gazeta Reporteri.net. dhe shoqëria civile e organizata si “Qika” Gjinovci iu kundërvënë postimeve fyese. Së pari, deklaratat evidentojnë taktikën e zhvendosjes së vëmendjes nga brendia e problemeve tek pamja e jashtme e komentuesve si dukuri që dëmton interesat e vërteta të shoqërisë. Së dyti dhe shumë me rëndësi, të tilla komente për një grua, nënë, bashkëshorte synojnë të pengojnë përfaqësimin e grave në media.
Gazetarja Saranda Rama u shpreh se në pozitë të Flutura Kusarit gjenden edhe shumë gra tjera në Kosovë, “të cilat refuzojnë me qenë pjesë e emisioneve në media për shkak se publiku më shumë i komenton për pamjen se për atë çka deklarojnë.” Ajo tha se komentet e tilla janë plotësisht të pavend, si dhe frikësojnë gratë e tjera që të jenë pjesë e diskutimeve në publik.
“Gratë në media gjykohen për peshën, veshjen, flokët, jeten personale… E kam provuar vet dhe e kam parë këtë gjykim edhe tek shumë gra kolege. Gjykimi per pamjen e Flutura Kusari është plotësisht i pavend e si pasoje ka ndalimin e grave të tjera në paraqitje publike; është e rëndësishme që na me pa çdo ditë gra në media. Me devijime të hundës, me flokë jo krejt të rregullta, me mbipeshë ose nënpeshë , me fustana firmato ose veshje të rëndomta – nuk ka rëndësi. Mjafton që të flasin me kompetencë ,” tha gazetarja Saranda Rama.
Leonida Molliqaj nga organizata “QIKA” bëri thirrje për t’i dënuar këto komente fyese dhe se i njëjti gazetar pati publikuar postim ofendues ndaj gazetares Dafina Demaku.
Flutura Kusari ka doktoruar për Ligjin Medial në Universitetin Ghent, Belgjikë, ka punuar për organizata të shoqërisë civile dhe është juriste në organizatën ndërkombëtare ECPMF për të përmirësuar legjislacionin në mbrojtje të lirisë së shprehjes. Ajo është vlerësuese e zëshme e punës së gazetarëve për informimin e publikut dhe vënien para llogarisë të pushtetarëve. E ftuar shpesh në intervista dhe programe televizive, Flutura Kusari ka kritikuar pa frikë tendencat autokrate dhe ligjet që synojnë të kontrollojnë mediat në Shqipëri siç ishte rasti i paketës ‘antishpifje” i AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive) si edhe raste të tjera. Fushatat me synim denigrues testojnë kufirin midis lirisë së shprehjes dhe të drejtës për tu mbrojtur nga fyerjet. Liria e shprehjes nuk është licencë për të denigruar individin dhe nuk presupozon të drejtën e sharjes.