Prishtinë, 4 shtator 2025 – Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po merr pjesë në stërvitjen ndërkombëtare “Saber Junction 25” në Gjermani, me ftesë të ushtrisë amerikane, njoftoi të enjten ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.
“Me ftesën e ushtrisë Amerikane, Forca e Sigurisë së Kosovës me një kontingjent i është bashkuar ushtrive partnere të ShBA-së, në ushtrimin fushor “Saber Junction 25” në Hohenfels të Republikës së Gjermanisë”, thuhet në njoftimin e ministrit në detyrë Maqedonci.
Ai ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë me një Kompani të Këmbësorisë dhe me një skuadër të Materieve të Rrezikshme (CBRN), me qëllim demonstrimin e profesionalizimit dhe ndërveprueshmërinë me vendet partnere.
“Saber Junction 25” është stërvitje e gjerë vjetore e ushtrisë amerikane në jug të Gjermanisë, e cila këtë vit filloi më 14 gusht dhe do të zgjasë deri më 21 shtator, sipas platformës mediatike të Departamentit amerikan të Shtetit, DVIDS.
Kjo është stërvitje shumëkombëshe rotacionale, e krijuar për ta vlerësuar gatishmërinë e njësive të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për të kryer operacione të unifikuara tokësore në një mjedis të përbashkët dhe të kombinuar, si dhe për të promovuar ndërveprueshmërinë me kombet aleate dhe partnere pjesëmarrëse, sipas DVIDS.
Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë pjesë në këtë stërvitje edhe në të kaluarën, ndërsa këtë vit ajo mori pjesë edhe në “Defender Europe 25”.
(r.m.)