Fronti i Dytë i Rusisë në Evropë

Perëndimi duhet ta ndalojë Putinin të provokojë konflikt në Ballkan

 

Nga David Shedd dhe Ivana Stradner (Foreign Affairs)

Në fund të shtatorit, Serbia grumbulloi të sofistikuara në kufirin e saj me Kosovën, në atë që përbënte një nga grumbullimet më të mëdha ushtarake serbe që nga fundi i luftës në Kosovë, gati një çerek shekulli më parë. Në Shtetet e Bashkuara, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare e quajti atë “një demonstrim të paprecedentë të artilerisë, tankeve dhe njësive të mekanizuara të këmbësorisë serbe”. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i telefonoi presidentit serb Aleksandar Vuçiq për t’i kërkuar “depërshkallëzim të menjëhershëm”.

Ndonëse mediat perëndimore kryesisht e shpërfillën këtë zhvillim që tashmë është harruar, për shkak të shpërthimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, ai mbetet pjesë e zhvillimeve alarmuese në Ballkan. Pretekst i drejtpërdrejt për mobilizimin e forcave serbe ishin trazirat disamujore mes Kosovës dhe Serbisë, mides të cilave ka mbretëruar një paqe e brishtë qëkur NATO, përmes një fushate bombardimesh e ndihmoi Kosovën ta fitonte pavarësinë de fakto nga Beogradi, në luftën e viteve 1998–99. Në maj, Serbia i vendosi trupat e saj në gatishmëri luftarake, pasi serbët etnikë që jetojnë në Kosovë u përleshën me Policinë e Kosovës. Dhe më pas, në shtator, pak para mobilizimit të fundit në kufi, 30 serbë etnikë të armatosur rëndë e sulmuan një patrullë të Policisë së Kosovë, ku mbetën të vdekur katër persona.

Por, ka shumë indikacione se këto incidente po i tejkalojnë tensionet e zakonshme të viteve të fundit. Këto incidente tregojnë edhe për kërcënimin në rritje që paraqet për rajonin Rusia, partneri i Serbisë. Në vitin 2022, për shembull, kryeministrja serbe Ana Bërnabiq tha se Kosova dhe Serbia ishin “në prag të konfliktit të armatosur”. Ndërsa Moska – e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – i fryu zjarrit, duke përdorur operacionet e informacionit për të nxitur mosbesim mes Kosovës dhe Serbisë dhe për të përçuar mesazhe të ashpra që e polarizojnë rajonin sipas vijave etnike dhe fetare. Po ashtu, Rusia e ka armatosur Serbinë, duke e rritur varshmërinë energjetike të saj nga kompanitë e saj, përmes furnizimit me gaz dhe me naftë me çmime të ulëta. Gjithashtu, Moska i ka premtuar Beogradit se do ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. “Një shpërthim i madh po zien në qendër të Evropës,” tha në maj ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Kjo mund të ketë qenë një mburrje.

Një ndër arsyet që Rusia është e lumtur të nxisë konfliktin historik midis Kosovës dhe Serbisë është se kështu mbingarkohen resurset e NATO-s dhe minohet fuqia e SHBA-së në Evropë. NATO e kishte detyruar Serbinë të tërhiqej nga Kosova në vitin 1999 dhe që atëherë aleanca e mban në Kosovë një forcë të vogël paqeruajtëse të trupave të NATO-s. Si rezultat, rritja e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë e teston qëndrueshmërinë e NATO-s në rajon. Po ashtu, mbështetja e Serbisë ia krijon Rusisë një terren në Ballkan. Zyrtarët serbë e kanë falënderuar Rusinë për “mbështetjen e integritetit territorial dhe të sovranitetit të Serbisë” dhe kanë theksuar se mbështetja e Moskës është arsye që Serbia të refuzojë të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Duke ushtruar presion mbi Beogradin, SHBA-të arritën të qetësojnë trazirat e fundit, me Vuçiqin që disa ditë më vonë deklaroi se do t’i tërhiqte forcat nga kufiri dhe se Serbia nuk kishte ndërmend ta pushtonte Kosovën. Por, tensionet mbeten ende të larta. Kosova i cilësoi sulmet e shtatorit si akte terroriste, ndërsa Vuçiqi e akuzoi Kosovën se po kryen “spastrim etnik brutal” të serbëve, me ndihmën e “bashkësisë ndërkombëtare”. Por, Vuçiqi nuk ka nevojë të ndërmarrë fushatë ushtarake të plotë në Kosovë, për të çuar përpara projektin e tij për destabilizimin e rajonit dhe për ta poshtëruar NATO-n. Ashtu sikurse presidenti rus, Vladimir Putin, ai i përdor grupet paraushtarake për të arritur qëllimet e tij. Sipas Qeverisë së Kosovës, Beogradi e ka mbështetur dhe orkestruar sulmin e shtatorit. Vuçiqi mund t’i përdorte “burrat e vegjël të gjelbër” për ta marrë kontrollin në veri të Kosovës, duke e mohuar këtë kategorikisht, ashtu siç kishte bërë Putini në Krime.

Pra, tani është koha që NATO t’i japë fund me vendosmëri lojës së dyfishtë të Vuçiqit të cilën ia mundëson Kremlini. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet t’ua bëjnë të qartë Beogradit dhe Moskës se do të reagojnë ashpër dhe fuqishëm ndaj provokimeve eventuale në Ballkan. Duhet të forcojnë praninë e NATO-s në rajon dhe të vendosin vija të kuqe të besueshme, të cilat Serbia nuk mund t’i kalojë pa provokuar konfrontim ushtarak me forcat e NATO-s. Dhe duhet ta sanksionojnë Beogradin, nëse udhëheqësit e Serbisë nuk distancohen nga Moska dhe nuk i depërshkallëzojnë tensionet.

Boshti i konveniencës

Shfaqja e Vuçiqit si nxitës kyç i tensioneve me Kosovën nuk duhet të jetë befasi. Si politikan i ri, Vuçiqi ishte një nacionalist i madh serb. Gjatë luftërave ballkanike që e pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë – në të cilat shqiptarët, myslimanët boshnjakë, kroatët dhe serbët u vranë me njëri-tjetrin në përpjekjet për ta kontrolluar rajonin – Vuçiqi e inkurajonte shtetin e ri serb t’i shtypte kundërshtarët e tij etnikë. Ai ishte veçanërisht i egër me shqiptarët e Kosovës, të cilët janë kryesisht myslimanë dhe përbëjnë më shumë se 90 për qind të popullsisë së Kosovës. “Për çdo serb të vrarë, ne do t’i vrasim 100 myslimanë”, ka deklaruar Vuçiqi në një fjalim në vitin 1995. Në vitin 1998, ai u bë ministër i informacionit i Presidentit serb Slobodan Millosheviq. Regjimi i Millosheviqit, famëkeq sidomos për vrasjen brutale të shqiptarëve, u shpërbë pas ndërhyrjes së NATO-s. Millosheviqi u arrestua për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Ai vdiq në burg para se të dënohej.

Sot, Vuçiqi është më shumë një oportunist se sa një nacionalist, i nxitur kryesisht nga dëshira për të qëndruar në pushtet dhe për ta zgjeruar atë. Por, ky motiv i ri nuk e bën presidentin serb aspak qëllimmirë. Vuçiqi përfiton politikisht nga kaosi në Ballkan, sepse kjo e ndihmon të justifikojë rëndësinë e tij politike dhe ta ruajë kontrollin. Kriza në Kosovë, për shembull, e ndihmon Vuçiqin të tërheqë vëmendjen nga problemet e brendshme politike dhe të shtypë protestat antiqeveritare. Ajo e ka përmirësuar edhe pozicionin e tij ndërkombëtar. Duke përshkallëzuar dhe depërshkallëzuar krizat në Kosovë, Vuçiqi e ka pozicionuar veten si faktor përcaktues për stabilitetin e rajonit, gjë që ia mundëson të negociojë dhe të bëjë pazare me vendet perëndimore, duke premtuar se do t’i zbusë tensionet nëse ato i plotësojnë kërkesat e tij për mbështetje ekonomike.

Një kushtëzim i tillë është vetëm njëra nga mënyrat se si Vuçiqi ka luajtur me Shtetet e Bashkuara dhe me Evropën. Ai e ka lidhur BE-në me përpjekjet e Serbisë për anëtarësim. Liderët evropianë, përfshirë kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, thonë se e duan Serbinë në këtë organizatë, kurse Vuçiqi deklarativisht ka rënë dakord me këtë. Por, ai e bën këtë thjesht sepse kjo ia sjell ndihmën e BE-së, ndërsa në të vërtetë ai dëshiron ta mbajë Serbinë në rrugën e gjatë dhe të pafundme të paraanëtarësimit. Nuk dëshiron t’i bashkohet një organizate që do ta detyronte të forcojë sundimin e ligjit.

Shumë serbë i besojnë propagandës ruse mbi luftën në Ukrainë

​Në fakt, sapo erdhi në pushtet, Vuçiqi e minoi gjithë opozitën politike pro-perëndimore, ndërsa i fuqizoi grupet serbe të ekstremit të djathtë, për ta forcuar pozitën e tij politike. Për ta zgjeruar pushtetin e tij në rajon, ai përpiqet gjithashtu që serbët etnikë në Kosovë t’i mbajë në orbitën e Beogradit. Madje, Vuçiqi duket ende i interesuar për të marrë me forcë pjesë të Kosovës. “Të gjithë serbët e dinë se e kanë humbur Kosovën”, kishte deklaruar ai në vitin 2018. “Por, unë do të përpiqem me gjithçka që të kthej çfarë të mundem, kështu që në fund nuk është disfatë totale apo humbje totale”. Derisa Perëndimi është i zënë me furnizimin e Ukrainës, me mbështetjen e Izraelit dhe me frenimin e Kinës, Vuçiqi beson se së shpejti do t’i krijohet mundësia për të kryer operacione në Kosovë.

Megjithatë, për të pasur sukses, Vuçiqi ka nevojë për ndihmën e Putinit. Ai, para së gjithash, e dëshiron energjinë ruse: mjetin kyç të Moskës për ndikim. Por, Rusia dhe Serbia e kanë forcuar edhe bashkëpunimin e tyre ushtarako-teknik (të cilin më pas Beogradi e ka përdorur si një kartë për negociata me Perëndimin). Vuçiqi, madje, i ka bërë thirrje Moskës për ndihmë të brendshme. Për shembull, në maj, Vuçiqi i cilësoi si “përpjekje për revolucione me ngjyra” serinë e lëvizjeve protestuese që ndihmuan rrëzimin e sundimtarëve pro-rusë në shtetet post-sovjetike, ndërsa në vitin 2021, Serbia dhe Rusia u zotuan t’i luftojnë ato së bashku. Rezultat i kësaj mund të jetë ndërhyrja ruse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë më 17 dhjetor, të cilat Vuçiqi i shpalli në tetor.

Për t’i fituar këto zgjedhje, Vuçiqi ka të ngjarë të mbështetet shumë në media. Kjo është fusha që Vuçiqi, si ish-ministër i informacionit i Serbisë, e njeh mirë. Nën mbikëqyrjen e Vuçiqit, Beogradi përhap dezinformata për t’i përgatitur serbët për përshkallëzim të situatës në Kosovë, duke e akuzuar Mbretërinë e Bashkuar se po planifikon luftë për pavarësinë e Kosovës, duke e akuzuar kryeministrin e Kosovës se po kryen akte “terrori kundër serbëve” dhe duke e fajësuar NATO-n për shtimin e rasteve të kancerit në vend, për çka Beogradi thotë se është pasojë e përdorimit të municioneve me uranium të varfëruar nga NATO-ja gjatë ndërhyrjes së saj në vitin 1999. Mediet në Serbi, të cilat kryesisht e ndjekin linjën e qeverisë, janë të mbushura me narrativa anti-kosovare, ndërsa radiostacionet serbe buqasin nga këngët patriotike. Rrugët në Serbi janë mbuluar me grafite në të cilat shkruhej “Kosova është Serbi” dhe “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. (Në fakt, sllogani i fundit i bën thirrje Serbisë ta pushtojë Kosovën).

Rusia i ka ndihmuar. Ajo ka vendosur në qytetet e saj pllakate proklamuese: “Ne vajtojmë së bashku me Serbinë / Një ngjyrë, një besim, një gjak”, duke miratuar aspiratat territorialiste të Serbisë. Gjithashtu, ajo i ka bërë jehonë propagandës serbe në mediet e saj, të cilat Vuçiq i lejon të veprojnë lirisht në shtetin e tij. Këto stacione, si RT dhe Sputnik, e kanë shfrytëzuar këtë liri për të përhapur mesazhe pro-ruse për Ukrainën, së bashku me mesazhet pro-serbe – dhe këtë e bëjnë me shumë sukses. Shumë serbë i besojnë propagandës ruse për luftën, kurse mediet vendore të Serbisë i kanë adoptuar narrativat e Kremlinit dhe e përhapin propagandën e Moskës. Për shembull, burimet serbe të lajmeve i portretizojnë shpesh ukrainasit si nazistë dhe përhapin dezinformata se Ukraina e ka sulmuar e para Rusinë.

Kjo hapje ka qenë një mbështetje për Putinin. Rusia e sheh Ballkanin si zonën e butë të Evropës dhe Moska beson se Serbia është pika e saj më e cenueshme. Qëllimi i Moskës është ta bëjë veten negociator të vetëm të besueshëm në konfliktet e Ballkanit – duke e bërë Kremlinin factor me ndikim te fuqitë perëndimore. Në fund të fundit, nëse paqja në Ballkan varet nga Putini, zyrtarët e NATO-s ndoshta do të duhet t’i bëjnë lëshime Moskës, nëse duan ta shmangin luftën. Duke e shtyrë Ballkanin në prag të luftës, ai (Putini) shpreson edhe të tregojë se NATO është një tigër prej letre dhe se nuk do të veprojë nëse vërtet testohet. Madje, edhe në qoftë se NATO i kundërqërgjigjet Serbisë, Putini prapë mund të fitojë. Duke e hapur një front tjetër, Perëndimi do të kishte më pak kapacitete për ta ndihmuar Ukrainën.

Kremlini ka edhe arsye të tjera për të mbështetur kaosin në Ballkan. Putini e përdor të ashtuquajturin precedent të Kosovës për ta mbrojtur invazionin e tij të paligjshëm ndaj Ukrainës, duke thënë se aneksimi i territoreve ukrainase justifikohet me pavarësinë e Kosovës. Sipas kësaj logjike perverse, të artikuluar nga përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, në një fjalim në muajin janar, referendumet ilegale dhe krejtësisht të rreme të mbajtura në territoret e okupuara të Ukrainës janë të ngjashme me luftën e Kosovës për liri nga Serbia, para më shumë se dy dekadash. Me fjalë të tjera, Kosova kishte të drejtë të shkëputej nga Serbia, prandaj edhe territoret e pushtuara ukrainase kanë të drejtë t’i bashkohen Rusisë. (Fakti që Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës ose që pavarësia e Kosovës në të vërtetë është precedent për luftën e Ukrainës për liri, është ironi me të cilë Moska nuk është marrë).

Mbështetja e Kremlinit për Beogradin shkon përtej interesave të ngushta: Rusia ka një lidhje të fortë ideologjike me nacionalistët serbë. Putini ka punuar për ta paraqitur Rusinë si mbrojtësen kryesore të vlerave tradicionale kulturore – siç janë përkatësia gjinore strikte dhe krishterimi konservator – kundër Perëndimit liberal. Shumë serbë janë partnerë natyralë. Mediet serbe e akuzojnë Perëndimin se po përpiqet të shkatërrojë Kishën Ortodokse Ruse dhe Serbe dhe i kundërshton politikat liberale, siç janë të drejtat e LGBTQ.

​Shumëkush në Serbi e mbështet krijimin e “botës serbe” – një variant ballkanik i “botës ruse” të Putinit – i projektuar për t’i bashkuar të gjithë serbët, përfshirë ata në Kosovë, nën një kornizë të përbashkët kulturore serbe. Të dyja shtetet madje edhe kanë mite themelore që janë të rrënjosura në territoret që do të donin t’i merrnin. Shumë nacionalistë rusë, nga ana e tyre, e lidhin qytetërimin rus me princin që ka sunduar në territorin e sotëm të Kievit. Shumë serbë besojnë se vendi i tyre duhet ta kthejë Kosovën, sepse ajo është shtëpia e shumë manastireve ortodokse serbe mesjetare dhe vendi i Betejës së Kosovës të vitit 1389, kur ka lindur miti i krijimit të qytetërimit serb.

Bëhuni të fortë

​Liderët perëndimorë e kuptojnë se Vuçiqi është i motivuar, të paktën në masë të madhe, nga dëshira për të qëndruar në pushtet. Si rezultat, ata janë përpjekur ta qetësojnë presidentin e Serbisë, duke i dhënë Beogradit stimuj, përfshirë edhe mbështetje ekonomike dhe investime, të dizajnuara për të ndaluar përshkallëzimin. Në qershor, për shembull, një muaj pasi serbët etnikë i plagosën paqeruajtësit e NATO-s, BE-ja ia dha Serbisë një ndihmë financiare. Ambasadori i SHBA-së në Serbi e ka vlerësuar Vuçiçin si “partner konstruktiv”, kurse kur forcat e armatosura serbe morën pjesë në një stërvitje ushtarake shumëkombëshe me NATO-n, në qershor, ambasada e SHBA-së deklaroi se Beogradi e kishte zgjedhur Perëndimin në vend të Rusisë. Vuçiqi vazhdon të ecë nëpër një litar të hollë në marrëdhëniet e tij me Perëndimin. Sipas një dokumenti që ka rrjedhë, Serbia ka pranuar t’i japë municione Ukrainës dhe Vuçiqi nuk e ka mohuar këtë pretendim. Në marsin e kaluar, Serbia madje votoi për rezolutën e OKB-së që e dënon agresionin e Rusisë.

Por, këta hapa janë vetëm pjesë e aktit balancues të Vuçiqit. Në Serbi që nga viti 2014 organizohen stërvitje ushtarake për të cilat kërkohet pak nga Beogradi. Për Vuçiqin, dërgesat e municioneve në Ukrainë janë thjesht një marrëveshje biznesi dhe ato nuk i kanë dëmtuar marrëdhëniet ruso-serbe. Ndërkaq rezoluta e OKB-së ishte thjesht simbolike – një mundësi për të përmirësuar imazhin e vendit në sytë e liderëve perëndimorë, pa i rrezikuar marrëdhëniet e tij me Moskën. Në fakt, kuptimi i vërtetë i koduar i rezolutës ishte se Serbia nuk do të heqë dorë nga pretendimet e saj ndaj Kosovës. “Për ne, Krimeja është Ukrainë, Donbasi është Ukrainë dhe kështu do të mbetet”, ka thënë Vuçiqi në janar 2023. Por, kjo ndodh vetëm sepse Beogradi beson se, siç thotë grafiti serb, “Kosova është Serbi”.

Në qoftë se Perëndimi vazhdon t’ia mundësojë këtë Vuçiqit, thjesht do ta trimërojë atë. Ai do të vazhdojë ta testojë NATO-n dhe do të përpiqet të provojë se ajo është parrizikshme. Perëndimi i ka dhënë tashmë sinjale inkurajuese: në muajin maj, kur më shumë se 30 paqeruajtës të NATO-s u plagosën në përleshjet me protestuesit serbë, aleanca nuk i ndaloi protestuesit e dhunshëm, nga frika se kjo do ta përshkallëzonte konfliktin. Por, një përmbajtje e tillë është ftesë për përshkallëzim të mëtejshëm nga Vuçiqi, por edhe nga Kremlini. Zyrtarët rusë po vëzhgojnë se çfarë po ndodh në Kosovë dhe po pyesin nëse mund ta shpëtojnë duke i sulmuar forcat dhe instalimet e NATO-s.

Rusia ka lidhje të forta ideologjike me nacionalistët serbë

Kosova, nga ana e saj, nganjëherë i ka injoruar qëllimet e Perëndimit. Për shembull, vendet e NATO-s e kanë shtyrë Kosovën ta themelojë Asociacionin e Komunave Serbe, gjë që Kosova nuk e ka bërë deri më sot. Perëndimi, në lidhje me këtë, e ka akuzuar Kosovën për vendosjen me dhunë të kryetarëve shqiptarë në qytetet me shumicë serbe, me çka i ka ngritur tensionet me Serbinë. Si përgjigje, Shtetet e Bashkuara vendosën masa kundër Kosovës dhe e anuluan pjesëmarrjen e vendit në stërvitjen ushtarake Defender Europe 2023 të udhëhequr nga Uashingtoni. Por, asnjëra nga sjelljet e Kosovës nuk e justifikon fushatën de fakto të Serbisë për tz minuar pavarësinë e saj.

Në përpjekje për të parandaluar konfliktin, një javë pas sulmit të majit, NATO e rriti praninë e saj në rajon me një legjion të ri prej rreth 500 ushtarësh turq. Në tetor NATO dislokoi në Kosovë edhe qindra trupa britanike. Por, këto masa janë të pamjaftueshme. NATO duhet të krijojë një koalicion të vullnetarëve, të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara, që mund t’u bëjë presion Beogradit dhe Moskës që të ndalojnë nxitjen e destabilitetit politik. Kjo do të thotë t’i bëhet e qartë Vuçiqit se nëse vazhdon të ndërmarrë veprime përshkallëzuese, do të përballet me një sërë pasojash të prekshme e gjithnjë në rritje, përfshirë edhe sanksionet e mundshme.

Perëndimi është në pozitë të mirë për të ndërmarrë hapa të tillë. Në qershor 2021, presidenti i SHBA-së Joe Biden e nënshkroi një urdhër ekzekutiv që e lejon Uashingtonin të vendosë sanksione kundër kujtdo që e destabilizon Ballkanin Perëndimor. Uashingtoni nuk do të duhej të turpërohej që t’i përdorë ato kundër individëve që (sipas tekstit të urdhrit) “kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial” në rajon. Që sanksionet amerikane të kenë efekt maksimal, Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja duhet t’u bashkohen përpjekjeve të Uashingtonit. Liderët evropianë duhet që, së paku, ndihmën e ardhshme për Serbinë ta kushtëzojnë me ndryshime të politikave specifike në Beograd. BE-ja, për shembull, mund ta kushtëzojë ndihmën e mëtejshme me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë nga Vuçiqi, me harmonizimin e politikës së jashtme me atë të bllokut, me heqjen dorë nga provokimet në rajon dhe me përmbushjen e axhendës së reformave të BE-së – veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe lirinë e medies.

Çfarë ndodh në Kosovë dhe Serbi rrallëherë mund të lokalizohet vetëm në këto shtete

Në Kosovë, NATO duhet të vendosë në terren ekipe që e kundërshtojnë makinerinë propagandistike të Rusisë dhe Serbisë. Këto ekipe duhet të vënë në shënjestër grupet serbe të ekstremit të djathtë dhe t’ua bëjnë të qartë se mesazhi rus për “vëllazërinë sllave” – të cilës i përket Serbia – është një mit dhe se Putini nuk do t’u ndihmojë, në rast të shpërthimit të konflktit. Për ta bërë këtë, gjithë çfarë duhet të bëjnë është ta thonë të vërtetën: Putini është i zënë me luftën kundër Ukrainës të cilën do ta humbë, prandaj ai nuk do t’i ofrojë Serbisë ndihmë në një konflikt të armatosur me Kosovën. Këto ekipe mund ta përdorin shembullin e luftës së shtatorit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Rusia është një aleat i vjetër i Armenisë e, megjithatë, pavarësisht kërkesave të Armenisë, ajo nuk i dha asaj mbështetje ushtarake në konfliktin e fundit, të cilin Armenia e humbi. Gjithashtu, ekipet mund t’ua kujtojnë nacionalistëve serbë se Moska nuk u ka ndihmuar atyre as gjatë luftërave të viteve 1990.

Shtetet e NATO-s mund të mos dëshirojnë t’i marrin këto masa. Në fakt, ato ndoshta duan ta shpërfillin krejtësisht Vuçiqin. Aleanca është rraskapitur duke e ndihmuar Ukrainën, kështu që shpenzimi i kohës dhe burimeve për Kosovën dhe Serbinë mund të duket i tepërt, veçanërisht kur ato thjesht mund ta blejnë presidentin e kësaj të fundit.

Por, Perëndimi duhet të kuptojë se tensionet në këto shtete mund të bëhen shumë më të vështira dhe më të shtrenjta për t’u trajtuar, nëse lejojnë që ato të acarohen. Ajo çfarë ndodh në Kosovë dhe në Serbi rrallëherë lokalizohet në këto vende dhe kjo krizë mund të përhapet lehtësisht edhe në shtetet tjera të Ballkanit. Përshkallëzimi mund të shtriihet në Maqedoninë e Veriut, shtetin fqinje që i përket NATO-s. Përshkallëzimi i mëtejshëm në Kosovë do të shkaktojë kaos edhe në Bosnjë e Hercegovinë, ku udhëheqësi i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik – i cili ka lidhje të ngushta me Putinin – është kërcënuar me shkëputje të territoreve serbe të Bosnjës. Në tetor, Dodik madje theksoi se serbët duhet ta “formojnë një shtet të vetëm”, të përbërë nga Serbia, Republika Serpska dhe Mali i Zi.​

Zgjerimi i konfliktit do të ishte një dhuratë edhe më e madhe për Putinin, i cili dëshiron që Perëndimi ta largojë vëmendjen nga Kievi ndërsa ai lufton për të pushtuar sa më shumë territore të këtij vendi. Për mbrojtjen e Evropës dhe ndalimin e Kremlinit është e rëndësishme që NATO ta forcojë krahun e saj në Ballkan, qysh tash, derisa kostoja për ta bërë këtë është ende e ulët.

—–

DAVID R. SHEDD, ish ushtrues i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes të SHBA-së;

IVANA STRADNER, bashkëpunëtore shkencore në Fondacionin pë Mbrojtjen e Demokracive;

 

(Përktheu: Ramadan Muçolli)