Franca, Gjermania dhe Britania: Udhëheqja iraniane të kërkojë zgjidhje të negociuar

Udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët pas sulmit të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit.

Keir Starmer, Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz theksojnë se regjimi iranian duhet t’i japë fund programit bërthamor, të frenojë programin e raketave balistike dhe të përmbahet nga aktiviteti destabilizues në rajon.

Ata i bëjnë thirrje Iranit “të përmbahet nga sulmet ushtarake” dhe “të kërkojë një zgjidhje të negociuar”.

“Ne përsërisim angazhimin tonë për stabilitetin rajonal dhe për mbrojtjen e jetës civile. Ne i dënojmë sulmet iraniane ndaj vendeve në rajon me fjalët më të ashpra. Irani duhet të përmbahet nga sulmet ushtarake pa dallim. Ne i bëjmë thirrje udhëheqjes iraniane të kërkojë një zgjidhje të negociuar., thuhet ndër të tjera në deklaratën e përbashkët të udhëheqësve të Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë – Keir Starmer, Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz.

Deklarata e plotë e tre liderëve:

 Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë kërkuar vazhdimisht regjimit iranian që t’i japë fund programit bërthamor të Iranit, të frenojë programin e tij të raketave balistike, të përmbahet nga aktiviteti i tij destabilizues në rajon dhe në vendet tona, si dhe të ndërpresë dhunën dhe represionin e tmerrshëm kundër popullit të vet.

Ne nuk morëm pjesë në këto sulme, por jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe partnerët në rajon.

Ne përsërisim angazhimin tonë për stabilitetin rajonal dhe për mbrojtjen e jetës civile.

Ne i dënojmë sulmet iraniane ndaj vendeve në rajon me fjalët më të ashpra. Irani duhet të përmbahet nga sulmet ushtarake pa dallim.

Ne i bëjmë thirrje udhëheqjes iraniane të kërkojë një zgjidhje të negociuar.

Në fund të fundit, popullit iranian duhet t’i lejohet të përcaktojë të ardhmen e tij.

 

(r.m.)