FSK-ja konfirmon se pjesëtarë të saj me automjete u futën gabimisht në veri

Prishtinë, 16 tetor 2025 – Forca e Sigurisë e Kosovës e konfirmoi të enjten se pjesëtarë të saj me disa automjete janë futur gabimisht në veri të vendit, pasi e kishin ngatërruar drejtimin e lëvizjes.

FSK – e cila duhet të marrë leje nga misioni i NATO-s në Kosovë për të lëvizur në këtë pjesë të vendit – tha se incidenti ndodhi rreth orës 10:30 të së enjtes, gjatë lëvizjes së konvojit nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë.

Më herët, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesëtarë të FSK-së “e humbën rrugën, navigacioni i GPS-së i çoi gabimisht në veri”.

Sipas tij, ata u larguan nga veriu pasi Policia e Kosovës i kishte vërejtur dhe kishte biseduar me ta.

Në rrjetet sociale u publikuan video ku shiheshin disa kamionë të FSK-së duke kaluar përgjatë një rruge në qytetin e Mitrovicë të Veriut – një nga katër komunat në veri që janë të banuara me shumicë serbe.

Elshani tha për Radion Evropa e Lirë se sipas informacioneve të policisë, automjetet e FSK-së u parkuan në një pikë karburanti për “pesë deri në dhjetë minuta”. Më pas, të shoqëruar nga policia, FSK-ja u largua nga veriu përmes “rrugës më të shpejt”, duke kaluar pranë një stacioni të autobusëve në vendin e njohur si Shkëmbi i Dudës.

Prania e FSK-së në veri të vendit është e mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar KFOR-it me pyetjet nëse është në dijeni që FSK-ja ka qëndruar në veri.

Ndryshe, për herë të fundit, me pëlqimin e KFOR-it, FSK-ja ishte në veri më 29 korrik të këtij viti, në një operacion kur gjeti trupin e pajetë të një operacioni që kishte kërcyer nga ura në liqenin e Ujmanit.

FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028.

(Radio Evropa e Lirë)