FSK kthehet me medalje të argjendtë nga “Cambrian Patrol ‘22” në Britani të Madhe

Prishtinë, 17 tetor 2022 – Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) e ka fituar medaljen e argjendtë për performancë në garën ushtarake “Cambrian Patrol 22”, e cila është mbajtur në Britani të Madhe.

“Forca e Sigurisë së Kosovës çdo ditë e më shumë po tregon nivel të lartë të përgatitjes profesionale përmes sukseseve që po arrinë në gara të ndryshme ndërkombëtare. Së fundmi, ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës arriti të marrë medaljen e argjendtë në njërën prej garave ushtarake më prestigjioze në botë “Cambrian Patrol ‘22” që u zhvillua në Britani të Madhe”, thuhet në njoftim.

Në këtë garë, pjesëtarët e FSK-së treguan performancë të jashtëzakonshme në stërvitjet 48 orëshe në Malet e Zeza të Uellsit, së bashku me 80 ekipe britanike dhe 27 ekipe të shteteve tjera ndërkombëtare.

“Performanca e FSK-së është vlerësuar lart edhe nga këshilltari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, nënkolonel John Hunter, si demonstrim i qartë i përkushtimit dhe standardeve të larta që FSK ka përmbushur”, thuhet në njoftim.

(Telegrafi)