FSK merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Dynamic Front 26” në Gjermani

Prishtinë, 10 shkurt 2026 – Forca e Sigurisë së Kosovës njoftoi se një kontingjent i Regjimentit të Tretë i këmbësorisë me një togë të mortajave po merr pjesë në stërvitjen ndërkombëtare “Dynamic Front 26” në Gjermani, të organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF).

“Ushtrimi fushor Dynamic Front është një ushtrim shumëkombësh që teston ndërveprueshmërinë e ushtrive të NATO-s dhe ushtrive partnere në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt. Këtë vit, ushtrimi është realizuar paralelisht në pesë shtete: Gjermani, Rumani, Poloni, Spanjë dhe Turqi”, thuhet në njoftim.

FSK tregoi se kontigjenti i saj ka arritur në Grafenwöhr Training Area, në Gjermani, me kapacitetet e veta logjistike, përfshirë automjetet, armatimin dhe municionin.

Në njoftim thuhet se ky kontingjent ka vepruar bashkëngjitur me Regjimentin 4-319 të Artilerisë Fushore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bëhet e ditur se togu i mortajave, me elementët e tij përbërës – Vijën e Zjarrit, Qendrën e Drejtimit të Zjarrit dhe Vëzhguesit e Përparëm – si dhe me mortaja 120 mm, ka realizuar qitje mbi objektiva, në koordinim me Ushtrinë Amerikane dhe trupat e Ushtrisë Italiane.

Togu ka demonstruar përvojën e saj në qitje me mortaja gjatë ditës dhe natës, si dhe ka shkëmbyer mësime dhe praktika më të mira me forcat partnere.

FSK thekson se po dëshmon çdo ditë profesionalizmin e disiplinën për të ndërvepruar me partnerët e saj, në të mirë të paqes dhe sigurisë.

No photo description available.

May be an image of fire and fireworks

(r.m.)