Prishtinë, 23 mars 2026 – Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) njoftoi se një skuadër e saj u është bashkuar shteteve partnere në ushtrimin ndërkombëtar “Mittelmark 2026” që po zhvillohet në Gjermani.
FSK, në një njoftim në Facebook, bëri të ditur se një skuadër e transportit nga Komanda e Logjistikës po realizon operacione si pjesë e integruar në strukturat e ushtrisë gjermane.
“Përmes këtij ushtrimi, pjesëtarët e Komandës së Logjistikës po realizojnë me sukses detyra të mbështetjes në transport, duke dëshmuar profesionalizëm dhe ndërveprueshmëri në mjedis ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Njoftimi i plotë:
Forca e Sigurisë së Kosovës i është bashkuar shteteve partnere në ushtrimin ndërkombëtar “Mittelmark 2026”, i cili po realizohet në Gjermani. Në këtë ushtrim, FSK-ja, me një skuadër transporti nga Komanda e Logjistikës, po realizon operacione duke qenë e integruar në strukturat e ushtrisë gjermane.
Ky ushtrim ka në fokus zhvillimin e kapaciteteve në fushën e transportit dhe mbështetjes logjistike në klasat I, III dhe V. FSK-ja po operon me automjetet e saj logjistike, duke qenë plotësisht e integruar në strukturat e ushtrisë gjermane.
Përmes këtij ushtrimi, pjesëtarët e Komandës së Logjistikës po realizojnë me sukses detyra të mbështetjes në transport, duke dëshmuar profesionalizëm dhe ndërveprueshmëri në mjedis ndërkombëtar.
(r.m.)