FSK pajiset me mijëra dronë luftarakë kamikazë “SkyDagger” 

Prishtinë, 8 tetor 2025 – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se mijëra dronë luftarakë kamikazë “Skydagger” të prodhuar nga kompania turke “Baykar”, të destinuar për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë arritur të mërkurën në Kosovë. Ai ka thënë se dhjetra ushtarakë të FSK-së tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre.

“Kontejnerët me mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger mbërrinë sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’. Dhjetëra ushtarakë të FSK-së tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka shpjeguar se këta dronë janë të destinuar për goditjen me mjete shpërthyese të objektivave të armikut.

“Këta dronë kamikaz të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger, të prokuruar nga ne, janë dronë luftarakë të pajisur me mjete shpërthyese, me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut”, ka shkruar ai.

Kurti ka thënë se pajisja me këta dronë shtohet fuqia mbrojtëse e ushtrisë së Kosovës.

“Me blerjen e këtij kontingjenti të fluturakeve pa pilot, krahas TB2 Bayraktar dhe fluturakeve Puma po vazhdojmë të ngrisim dhe shtojmë fuqinë goditëse të ushtrisë sonë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore”, ka thënë ai.

Kurti ka bërë të ditur se kontrata për blerjen e këtyre dronëve me kompaninë turke “Baykar” ishte nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar. Sipas kontratës, dronët duhet të mbërrnin në Kosovë në janar të vitit 2026, por kompania turke e përmbushi atë tre muaj më herët.

(r.m.)